Ekspozite

Ekspozita “Epitaf”, të rizgjosh artin e qëndistarisë nëpërmjet vlerave etnografike

Një dashuri e harruar si qëndistaria rizgjohet për publikun nga artistja Egla Memaj, tashmë e përkthyer në figura biblike e motive frymëzuar nga “Epitafi i Gllavenicës”.

Ekspozita “Epitaf” vjen e gjitha me punime të qëndisura në galerinë FAB, duke na bërë të kthejmë sytë nga tradita.

Në ekspozitën e saj të dytë personale, Egla sjell një ndërthurje mes tradicionales dhe bashkëkohores, por subjekti i përzgjedhur është vetëm një: “Epitafi i Gllavenicës”, një ikonë e qëndisur dhe arritje kulmore e traditës etnografike mesjetare.

“Epitafi i Gllavenicës”, kryeartefakti i muzeologjisë shqiptare, është realizuar në vitin 1373. I gjendur në bazilikën e Shën Mërisë në Ballsh, ai paraqet figurën e Krishtit të vdekur, shtrirë mbi një çarçaf dhe rrethuar nga shenjtorë, serafinë e engjëj.

Figura e Krishtit e qëndisur

Kjo ekspozitë duket sikur të fton në një përftim të ri mbi këtë kryevepër të trashëgimisë sonë kulturore. Në sfonde monokrome, ajo herë propozon figurën qendrore të Krishtit e herë simbolikat që e rrethojnë atë, pasi afër Krishtit gjejmë Shën Mërinë, Engjëjt vajtues, Joan Teologu, Profetët, Katër Ungjillorët.

Artistja Egla Memaj thotë për Gazetasi.al se nga ky subjekt kanë dalë plot 27 punime, të cilat vijnë të ekspozuara në 3 dhomat e Galerisë FAB.

“Unë e kam titulluar thjesht ‘Epitaf’, sepse nga aty e ka pikënisjen. Të gjitha detajet, profetët, ungjillorët, engjëjt dhe Krishti që është figura qendrore dhe më kryesore, janë të zbërthyera në këtë ekspozitë në 27 punime, të cilat janë në një teknikë të përzier, qëndisje me dorë plus kanavacë që është e trajtuar me ngjyra monokrom”, shprehej Memaj për Gazetasi.al.

Kjo pasuri unike vjen e endur me fill të artë, si një mënyrë për të dhënë më shumë prezencë.

“Të gjithë figurat janë të arta, sepse e arta është metal i përsosur dhe përfaqëson më tepër prezencën hyjnore”, vijon ajo.

Ajo kujton se ekspozita e parë personale ishte më larg në kohë dhe simbolet ishin pagane, ndërsa në “Epitaf” simbolet janë të gjithë nga Krishtërimi, por që e gjen veten mirë te trashëgimia kulturore.

“Duke qenë se kisha disa vite që unë punoja për trashëgiminë kulturore dhe ekspozitën e solla po nga trashëgimia kulturore”, vijon më tej ajo.

Këto punime janë realizuar përgjatë 3 viteve, me një punë intensive.

“Motivet më të vogla më kanë marrë 10 ditë kohë, por kur kaloja te figurat e mëdha më kanë shkuar edhe 3 muaj”.

Qëndistarja Egla Memaj

Memaj thotë se qëllimi kryesor ka qenë zgjimi i interesit për etnografinë dhe vlerat kombëtare të harruara.

“Të gjithë ekspozitën mund ta cilësoj si një thirrje ndaj vlerave etnografike, një thirrje për rivlerësimin e asaj pasurie të shquar liturgjike, por dhe një dialog me të shkuarën… si ftesë për të mos harruar”, shprehet artistja.

Teksa thekson se figura e Krishtit është më kryesorja, për të një vend të veçantë zënë edhe motivet nga fusha e epitafit.

Motivet nga fusha e epitafit

Vështirësitë e kësaj ekspozite qëndrojnë sa te puna me orë të gjata duke qëndisur te ardhja e tyre në dimensione të mëdha.

“Në veprën origjinale çdo gjë ka qenë nga 2 cm deri në 12 cm dhe unë i kam sjellë në dimensione kaq të mëdha. Edhe pjesa e kthimit në kanavacë ishte si një lloj eksperimenti, sepse duke qenë se ka qenë tekstil dhe më pas duhet t’i bëja trajtimin në kanavacë, dhe ishte e vështirë sepse edhe mund të dështonte sepse mund të krijohej rrudhë”.

Sa i përket publikut, ajo thotë se janë të surprizuar se si i kam qëndisur të gjitha vetë.

Ekspozita “Epitaf”, do të vijojë e hapur për publikun deri më 17 prill, në Galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë