Drejtësia

Rritja e numrit të hetimeve, Kim takon kreun e SPAK: Asnjë nuk është mbi ligjin

Gazeta Si – Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim ka takuar kreun e SPAK-ut, Arben Kraja, duke mbështetur prokurorët dhe hetuesit për punën e bërë në kuadrin e reformës në drejtësi.

Nëpërmjet një postimi në Twitter ambasadorja amerikane shkruan se asnjë nuk është mbi ligjin, gjë që sipas saj duket nga numri i lartë i hetimeve, ndjekjeve penale dhe konfiskimeve të pasurisë.

“U takova sot me kreun e SPAK, Arben Kraja për të përgëzuar prokurorët dhe hetuesit që kanë sjellë më shumë rezultate reale në emër të publikut shqiptar. Rekordet në rritje të hetimeve, ndjekjeve penale, konfiskimeve të pasurive tregojnë se askush nuk është mbi ligjin”, – thotë ajo.

Ndër të tjera Kim shkruan se Amerika do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm reformën në drejtësi, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të vënë para  drejtësisë zyrtarët e korruptuar dhe krimin e organizuar.

“Kjo është e nevojshme për të përmbushur kërkesat e BE-së si dhe kërkesave të të gjithë njerëzve për drejtësi”, shkruan ambasadorja amerikane në Twitter.

Nuk është hera e parë që Kim takohet me drejtuesin e SPAK-ut për të inkurajuar prokurorët për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë