Futboll

Infantino nuk heq dorë, tani e do Botërorin çdo 3 vjet. Ceferin: Absurditet!

Gazeta Si – Sipas një lajmi ekskluziv të “Sun”, Xhani Infantino, presidenti i FIFA-s, ka bërë një propozim të ri në lidhje me riorganizimin e kalendarit botëror gjatë Kongresit të Dohas, para hedhjes së shortit të Kupës së Botës në Katar.

Ideja është ajo për të organizuar Botërorin çdo tri vjet si pjesë e një cikli turnesh prej 36 muajsh: vitin e parë do të ishte Botërori i ri i klubeve me 24 skuadra, verën e vitit të dytë do të luheshin kampionatet kontinentale, si Europiani dhe Kupa e Amerikës, ndërsa vitin e tretë do të luhej Kupa e Botës.

Xhani Infantino, presidenti i FIFA-s. Gazeta Si, 8 prill 2022

Infantino foli për polemikat që lidheshin me hipotezën e Botërorit çdo dy vjet, duke thënë: “FIFA nuk e ka propozuar. Në kongresin e fundit është kërkuar të bëhet një studim dhe FIFA e ka bërë, duke e arritur në konkluzionin se është e mundur”. Në deklarata të tjera më pas ai ka shtuar se “është thelbësore të bëhet diçka, që ka lidhje me një Botëror çdo dy ose tri vjet”. Projekti mendohet të fillojë në vitin 2023, por kjo hipotezë është pak e besueshme.

E menjëhershme ishte replika e presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin: “Për mendimin tim, është shumë pozitive që për këtë projekt, që është një absurditet, nuk mund të bëhet asgjë. Jemi të lumtur që kjo ide më në fund u tërhoq. Nuk ka pasur asnjëherë një propozim zyrtar nga FIFA, por kjo ide ka dalë prej saj.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin. Gazeta Si, 8 prill 2022

Është mirë që dëgjuan botën e futbollit. Sa u takon turneve të rinj, nuk besoj se ka shumë kohë në dispozicion për kompeticione të tjera. Por të shohim, për momentin nuk kemi diskutuar”, – tha Ceferin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë