Treg

Kompanitë celulare reduktuan shpejtësinë e internetit gjatë pandemisë

Kompanitë e ofrimit të shërbimit celular në Shqipëri reduktuan shpejtësinë e internetit pas shpërthimit të pandemisë.

Sipas një raportit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, shpejtësia e ofrimit të internetit nga kompanitë celulare në vendin tonë ra mesatarisht me 9 për qind në 2020 dhe 2021-in.

Po sipas gjetjeve të BERZh, shpejtësoi e internetit pësoi një rritje të lehtë me 1 për qind nga ofruesit e këtij shërbimi përmes linjave fikse.

Sipas të dhënave të publikuara nga AKEP, shqiptarët konsumuan rreth 700 milionë GB internet përgjatë vitit 2020 dhe në total shpenzuan rreth 33.4 miliardë lek për komunikimet elektronike.

Pjesa dërrmuese e volumit të internetit, rreth 600 mln GB është konsumuar përmes linjave fikse, ndërsa rreth 90 mln GB është volumi i internetit i konsumuar nga tre operatorët që e ofruan këtë shërbim përmes shërbimit celular.

Në krahasim me 2019-ën, në 2020 ka një rritje me 28.6 për qind të volumit të internetit të blerë nga pajtimtarët nga kompanitë celulare dhe rreth 32 për qind të volumit të internetit të blerë nga kompanitë që e ofrojnë këtë shërbim përmes rrjetit fiks.

Megjithëse pesha që zë volumi i internetit të ofruar nga kompanitë celulare zë rreth 13 për qind të totalit të volumit të internetit të konsumuar nga qytetarët përgjatë 2020-ës, shuma që kompanitë celulare kanë arkëtuar është rreth 23 miliardë lek nga 33.4 miliardë lek totali, ose rreth 70 për qind të totalit të shpenzimeve.

Në krahasim me 2019-ën, kjo shifër e tregut celular të ofrimit të shërbimeve të komunikimeve është rreth 9 për qind më e ulët. Kjo rënie në të ardhurat e operatorëve celularë është ndjerë nga ulja e të ardhurave të gjeneruara në të dy tregjet, atë të pakicës dhe tregun e shërbimet me shumicë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë