Xhamia e kuqe në Berat, një nga më të vjetrat në qytetin e një mbi një dritareve, u dëmtua pak ditë më parë nga moti i keq.
Moti i keq ka prekur vetëm elementët dekorativë të tullave në krye të minares së xhamisë, por ky monument i kulturës nuk ka rrezik shembje.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, bëri të ditur se “janë marrë të gjitha masat që Xhamia e kuqe, në Kalanë e Beratit, jo vetëm të ruhet si monument, por edhe të mos paraqesë asnjë rrezik për banorët”.
Ndër të tjera, Margariti falënderoi Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Beratit DRTK Berat, për ndërhyrjen e menjëhershme, por edhe specialistët e Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, për asistencën e menjëhershme.
“Për shkak të vetëtimave dhe një shkarkese të madhe pranë rrënojave të Xhamisë së kuqe në kalanë e Beratit, u dëmtuan elementet dekorative të tullave në krye të minares. Nga goditja gjithashtu një pjesë e muraturës pësoi një çarje vertikale”, tha Margariti.
Sipas specialistëve, thotë Margariti, bazamenti i minares është në gjendje shumë të mirë por, në lartësinë rreth 3.5 m janë krijuar çarje, pikërisht në pjesët ku ngushtohet seksioni i minaresë.
“Specialistët kryen menjëherë verifikimet e dëmit, kryen pastrimet dhe ndërhyrjet paraprake për të liruar rrugën dhe siguruan objektin, duke shmangur çdo lloj rreziku”, përfundon ministrja Margariti.
Xhamia e Kuqe është një nga xhamitë më të vjetra që ruhet në qytetin e Beratit. Aktualisht gjendet në rrënojat ku ruhet salla e lutjeve me planimetri thuajse katrore dhe para saj ndodhet hajati me pothuajse të njëjtën gjerësi. Minareja është e ndërtuar në anën e majtë. Ajo është e vendosur ndryshe nga të gjitha xhamitë sepse është e kushtëzuar nga prania e mureve të rrethimit. Datimi i xhamisë paraqet vështirësi. Për nga teknika e ndërtimit dhe nga vendndodhja e saj mendohet të jetë ndërtuar në fillim të shekullit të XV.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.