Futboll

Vendi i dytë nuk mjafton, Laçi shkarkon Mirel Josën dhe rikthen Duron

Gazeta Si – Laçi ka mbyllur sot bashkëpunimin me trajnerin Mirel Josa. Rezultatet e javëve të fundit janë bërë shkak për largimin e trajnerit kryeqytetas, me 6 ndeshje pa fitore, por ajo që duket sikur nuk shkon ka të bëjë me faktin se kurbinasit janë brenda objektivave sezonalë.

Mirel Josa. Gazeta Si, 5 prill 2022

Vendimi nga presidenti i Laçit, Pashk Laska, është marrë një ditë pas humbjes me Partizanin në kampionat. Pas 27 javësh, Laçi mban vendin e dytë, me 46 pikë, ndërkohë që është gati i kualifikuar për në finale të Kupës së Shqipërisë, pas fitores 1-2 në gjysmëfinalen e parë ndaj Teutës. Europa duket e sigurt për këtë skuadër, por edhe kjo nuk mjafton, me sa duket.

Vendin e Josës e ka marrë trajneri tjetër kryeqytetas, Shpëtim Duro, i cili i ka drejtuar kurbinasit edhe sezonin e kaluar, kështu që kemi të bëjmë me një rikthim. Në fazën e parë u shkarkua trajneri malazez Dejan Vukiçeviç, pas atij starti të keq, ndërsa tani ishte radha e Mirel Josës, edhe pse ky i fundit në total ka pasur një ecuri shumë të mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë