Futboll

Odiseja e babë e bir! 3200 stërlina shpenzim për të parë CR7, por 3 herë ai mungon

Gazeta Si – Çdo prind është gati të bëjë gjithçka për të kënaqur fëmijët e tij. Ndonjëherë mjafton pak, në raste të tjera duhet impenjim, fat dhe ca para. Por nuk është e thënë që në fund të arrihet qëllimi. Rasti i anglezit Kris Brum dhe djalit të tij Zak, që e sjell “Sun”, bën pjesë në kategorinë e dytë.

Zak, 12 vjeç, është tifoz i thekur i Kristiano Ronaldos dhe babai i tij ka bërë vërtet gjithçka dhe e ka çcuar në stadium për të parë nga afër portugezin. Megjithatë, fati kishte plane të tjera për të, sepse tri herë radhazi fituesi i “Topit të Artë” nuk ka luajtur.

Gjithçka fillon në 2020-ën, para pandemisë. Në shkurt Kris shpenzoi 1500 stërlina për të shkuar në Torino me djalin e tij për të parë Kristianon. Ishte zgjedhja e gabuar, sepse në ndeshjen ndaj Breshias trajneri Sarri vendosi ta linte pushim portugezin. Kaluan 2 vjet dhe CR7 u kthye në Mançester, shumë më afër Torinos nga Somerset, ku jetojnë ata.

Kris dhe Zak para stadiumit te Mançester Junajtid. Gazeta Si, 5 prill 2022

Dhe për të qenë të sigurt se Ronaldo nuk do të lihej pushim, ata zgjodhën derbin me Mançester Sitin. Një ndeshje me kosto, sepse për biletat dhe hotelin ata shpenzuan 1700 stërlina të tjera, por ishte një surprizë e madhe për të gjithë, Ronaldo nuk u grumbullua për një dëmtim.

Kris dhe Zak nuk hoqëen dorë. Për ndeshjen ndaj Leiçester Sitit, biletat ishin gratis, kështu që të paktën nuk shpenzuan. Portofoli mbeti i kënaqur, por babai dhe djali jo, sepse edhe në këtë rast mungoi CR7, sërish për një problem fizik. Ndoshta është momenti për t’u dorëzuar, por nuk bëhet fjalë, siç pohon vetë Kris.

“Po më kushton shumë, por i kam premtuar Zakut se do ta çoj të shohë Kristiano Ronaldon të luajë dhe do t’ia dal, çfarëdo që të ndodhë”. Tani të gjithë shpresojnë që tersi për ta të ketë marrë fund!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë