Futboll

Partizani thyen Laçin dhe ndez shpresat për vendin e 4-t, Vllaznia në rënie të lirë

Gazeta Si – Partizani ka marrë një fitore të rëndësishme për javën e 27-të të kampionatit, ku ka mundur 2-1 Laçin e vendit të dytë dhe ka ndezur shpresat për vendin e 4-t, nga i cili tashmë është vetëm 1 pikë larg.

Të kuqtë kaluan në avantazh shpejt me anë të mbrojtësit Eneo Bitri, por u barazuan sapo nisi pjesë e dytë nga Laçi. Një penallti në favor të Partizanit u kthye në gol nga Skuka dhe kështu kryeqytetasit kanë marrë 3 pikë shumë të rëndësishme në një moment kyç të sezonit. Laçi ndërkohë pëson një tjetër humbje, pas asaj me Teutën.

Nga ndeshja Vllaznia-Kastrioti, 1-2. Gazeta Si, 4 prill 2022

Në rënie të lirë është Vllaznia, që sot është mundur në “Loro Boriçi” edhe nga Kastrioti, me rezultatin 1-2. Një humbje me përmbysje për shkodranët, që shënuan të parët me Aralicën, por në 10 minutat e fundit u ndëshkuan dy herë nga krutanët.

Ishte humbja e tretë radhazi për Vllazninë në kampionat. Që pas largimit të trajnerit Tomas Bërdariç, shkodranët po pësojnë disfata njëra pas tjetrës, duke rrezikuar objektivat e sezonit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë