Drejtësia

Fier, prokuroria kërkon konfiskimin e pasurisë me vlerë 800 mijë euro të një trafikanti droge

Gazeta Si – Prokuroria e Fierit, ka kërkuar sekuestrim të pasurisë së Vangjel Zijajt (Arben Gropa), i cili dyshohet se i ka krijuar nga veprimtari të paligjshme, pasi është i dënuar me 29 vite burg nga autoritetet italiane për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni.

“Nga aktet e procedimit penal rezulton se, shtetasi Vangjel Zijaj (Arben Gropa) është dënuar nga autoritetet italiane të drejtësisë me 29 vjet, 05 muaj e 27 ditë burg, për veprat penale në fushën e narkotikëve, nxitje, shfrytëzim e favorizim prostitucioni të kryera nga organizata kriminale”, – njofton prokuroria.

Prokuroria thotë se Gropa ka ndërtuar një pallat 6-katësh që nuk e justifikon me pasuri të ligjshme. Vlera e pallatit është 800 mijë euro dhe apartamentet i janë shitur personave të të tretë, ndaj dhe organi I akuzës kërkon sekuestrim të pasurive të tjera me vlerë ekuivalente.

Prokuroria ka kërkuar gjithashtu sekuestrimin e automjetit të Gropës, si dhe një pronë 147 m² në pronësi të Romerto Gropës, i dënuar bashkë me Vangjel Zijajn (Arben Gropa).

Gjykata e Apelit në Romë, e dënoi  ​​Vangjel Zijajn (Arben Gropa) në janar 2004 me 29 vite burg me akuzën për trafikim të narkotikëve.

Pronari tavernës “Pelikani” në Fier u arrestua në shkurt 2014, bazuar në një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet italiane.

Megjithatë, pas arrestimit të tij, Gjykata e Apelit në Vlorë e ndryshoi padinë e tij në ‘arrest shtëpiak’. Deri në kohën kur kërkesa për ekstradimin u miratua disa muaj më vonë, ai nuk gjendej nga policia.

Kur oficeri i Prokurorisë së Fierit shkoi në banesë për ta verifikuar praninë e tij, ai ka lajmëruar se ky shtetas ishte arratisur dhe menjëherë është bërë shpallja në kërkim e tij, për t’u vendosur sërish në praga dhe ekstraduar drejt Italisë, ku dhe po vuan dënimin.

Konkretisht, Zijaj akuzohet për veprën penale, “Pastrimi i produkteve të veprës penale, ose veprimtarisë kriminale”, – objektit ndërtimor të tjetërsuar në formën e kontratave të shitblerjes tek persona të tretë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë