Gazeta Si – Ende në garë për një vend në Katar 2022, por me mendjen te lufta. Trajneri i Ukrainës, Oleksandr Petrakov, pak mendon për futbollin tani. “Jam 64 vjeç, por mund t’i vras 2-3 armiq. Qëndrova në Kiev dhe kjo do të thotë se dua të mbroj qëytetin tim”, – ka thënë ai.
Pas shpërthimit të luftës jo vetëm që ai refuzoi të largohej nga Kievi, por kontaktoi me qeverinë që t’i jepte lejen për të luftuar. Për çështje të tjera atij iu propozua një tjetër rol. “Më këshilluan që të shkoja në zonat lindore të Ukrainës, por refuzova. Jam këtu dhe nuk dua të largohem nga qyteti im.

Nuk do të ishte korrekte, sepse shumë njerëz duhet të qëndrojnë për të mbrojtur vendin dhe unë nuk dua t’ia mbath. Nëse do të nevojitet, do të kap një armë dhe do të mbroj Kievin. Gruaja ime nuk i duron dot më bombardimet dhe shpërthimet. Kur mundet shëtit qenin, kurse unë qëndroj në shtëpi, por do të preferoja të luftoja”, – ka thënë Petrakov në një intervistë për “Guardian”.
Javët e fundit është diskutuar për mundësinë e stërvitjes së Ukrainës në një vend larg konfliktit, por sipas trajnerit Petrakov nuk është një zgjidhje e mirë. “Ka rrezik, sepse dikush mund të thotë se kombëtarja ukrainase është grumbulluar dhe mund të na bombardojnë. Kemi të bëjmë me persona pa moral dhe principe, nuk mund të rrezikojmë lojtarët tanë.
Megjithatë, duhet të luajmë, sepse pa miqësore vështirë se mund ta përballojmë Skocinë në ndeshjen shtesë për Botërorin. Do ishte mirë të luanim në “Wembley”, kundër një ekipi nga Londra, do të na ndihmonte për përgatitjet dhe do të jepnim një mesazh edhe për ushtrinë tonë. Lojtarët më telefonojnë, më thonë që të qëndroj në vend të sigurt, ata nuk duan që të vritem. Prindërit e tyre i kanë në Ukrainë dhe janë të shqetësuar”.

Trajneri ukrainas, kur u pyet për atë që ndjen për rusët, u përgjigj: “I urrej, nuk është thjesht një zemërim. Njerëzit urrejnë që dikush të pushtojë tokën e tyre. Do të na duhekt kohë që të jemi sërish të qetë, por tani ndjejmë shumë urrejtje. Na sulmojnë prej vitesh”.
Petrakov e përjashton mundësinë që një ditë Ukraina mund të luajë kundër Rusisë: “Nuk do të doja që kjo të ndodhte sa të jem gjallë, refuzoj t’u shtrëngoj dorën atyre. Duhet të ndërtojmë një mur dhe të qëndrojmë sa më larg rusëve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




