Gazeta Si – Goglat kanë dhënë verdiktin e tyre. Shorti i hedhur sot në Doha ka përcaktuar 8 grupet e Botërorit të Katarit, që starton më 21 nëntor dhe mbyllet më 18 dhjetor. Ky është Botërori i parë që luhet në dimër dhe i fundit me 32 skuadra pjesëmarrëse. Shorti prodhoi grupe kryesisht të ekuilibruara.
Gjermania, që bënte pjesë në vazon e dytë në short, ka rënë në Grupin E, ku kokë grupi është Spanja dhe plotësohet me Japoninë dhe fituesin e play off-it mes Kosta Rikës dhe Zelandës së Re. Në Grupin A, Katarit organizator i është bashkuar Holanda, Senegali dhe Ekuadori.

Brazili ka rënë në Grupin G me Zvicrën. Në këtë grup ka rënë edhe Serbia, ashtu si në Rusi 2018, që do të thotë se Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri do luajnë sërish kundër serbëve. Plotëson Grupin G Kameruni. Anglia u shortua në Grupin B dhe bashkë me të ranë edhe Amerika, Irani dhe fituesi i ndeshjes Uells-Skoci/Ukrainë.
Argjentina e Mesit bën pjesë në Grupin C me Meksikën, Poloninë e Robert Levandovskit dhe Arabinë Saudite. Franca kampione bote ra në Grupin D, me Danimarkën, Tunizinë dhe fituesen e play off-it mes Perusë dhe Australisë ose Emirateve të Bashkuara Arabe.
Grupi F ka në përbërje Belgjikën, Kroacinë, Kanadanë dhe Marokun, kurse në Grupin H, Portugalia e Kristiano Ronaldos sfidon Uruguain, Korenë e Jugut dhe Ganën.
Ndeshjet në Botërorin e Katarit do të luhen në 4 orare të ndryshme, konkretisht në orën 11:00, 14:00, 17:00 dhe 20:00 (me orën tonë).
Datat e Botërorit
21 nëntor 2022: fillimi i Botërorit
3-6 dhjetor 2022: 1/8 e finaleve
9-10 dhjetor 2022: çerekfinalet
13-14 dhjetor 2022: gjysmëfinalet
18 dhjetor 2022: finalja
Para hedhjes së shortit u është bërë homazh figurave të shquara të futbollit botëror, Diego Armando Maradonës, Gerd Mylerit, Paolo Rosit dhe Gordon Benks, të ndarë nga jeta kohët e fundit. Më pas, Didier Deshamp, trajneri i Francës, ka dalë në skenë bashkë me trofeun e kampionit të botës. Ne skenë u ngjitën edhe emra të mëdhenj të futbollit botëror ndër vite, si Lotar Mateus, Kafu, Tim Kahill, Ali Daei, Bora Milutinoviç, Xhej Xhej Okoça etj.
La’eeb is here to share his love of football with fans worldwide!#FinalDraw | #FIFAWorldCup pic.twitter.com/uYJALVNUVw
— FIFA World Cup (@FIFAWorldCup) April 1, 2022
Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, në fjalën e tij tha: “Jam shumë i emocionuar, prtitja mori fund dhe tani nis faza serioze. Ky edicion do të jetë më i miri i të gjitha kohërave, e gjithë bota do të mblidhet në Katar. Në këtë moment historik aggresiviteti kemi nevojë të bashkojmë popujt. Apeli im është: mjaft me konflikte dhe luftë, ky do të jetë edicioni i paqes”.
Ndarja e vazove ishte kjo:
Vazo 1 — Katar, Brazil, Argjentinë, Francë, Portugali, Spanjë, Angli, Belgjikë.
Vazo 2 — Holandë, Meksikë, Danimarkë, Gjermani, Zvicër, Uruguai, Kroaci, Amerikë.
Vazo 3 — Japoni, Serbi, Poloni, Koreja e Jugut, Marok, Tunizi, Senegal, Iran.
Vazo 4 — Kamerun, Kanada, Arabia Saudite, Gana, Ekuador, fituesi i Skocia/Ukrainë-Uells, fituesi i Kosta Rika-Zelandë e Re, fituesi i Peru-Australi/Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kriteret e shortit
Çdo grup duhej të kishte maksimumi 2 kombëtare europiane, kurse përfaqësueset e kontinenteve të tjera nuk mund të sfidoheshin në grup. Në vazon e katërt u futën edhe 3 kombëtaret e fundit që do të kualifikohen pas ndeshjeve shtesë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




