Sociale

Ndër vendet më të lira në botë për të sjellë një fëmijë… por lindjet kanë rënë

Fotot e Kate Middleton; vetëm 7 orë pas lindjes së princit, i cili është dhe i pesti në radhë për kurorën e Mbretërisë së Bashkuar, bënë xhiron e botës.

Çmimi për të sjellë në jetë princin sipas The Economist ishte rreth 8,900 dollarë.

Po në Shqipëri, sa kushton të sjellësh në jetë një fëmijë?

Vendimi për t’u bërë prind vjen me një faturë nga pas. Spitalet private në vendin tonë operojnë me paketat e ndjekjes së periudhës së paralindjes dhe lindjes, kostoja e të cilave shkon 1000-1300 euro në varësi të spitalit.

Ndërsa vetëm lindja, në spitalet private, kushton 600-800 euro dhe kjo shumë nuk i parashikon ndërlikimet që mund të vijnë nga lindjet çezariane.

Aty ku nëna zgjedh të kryejë procesin e lindjes, kostoja që paguan bën edhe diferencën e trajtimit. Në rastin e spitaleve shtetërore, kjo kosto shkon minimalisht 300 mijë lekë (në të dyja rastet e lindjes) dhe në ato private rreth 700 euro mesatarisht vetëm lindja (përjashtim bën kur nëna është ndjekur që në fillim të shtatzënisë me paketat e plota 1000-1300 euro që lindja përfshihet).

Sa kushton në botë?

Një anketë e Federatës Ndërkombëtare të Planifikimit Shëndetësor doli në përfundimin se të sjellësh në jetë një fëmijë në spitalet private në Amerikë kushton mesatarisht 10,800 dollarë. Kostoja totale shkon deri në 30 mijë dollarë nëse shtojmë edhe kostot e përkujdesjes para dhe pas lindjes. Edhe pse siguracionet mbulojnë pjesën më të madhe të kostove, prindërit e fëmijës që vjen në jetë duhet të paguajnë mesatarisht në botë një faturë prej 3,000 dollarë. Në pjesën më të madhe të shteteve europiane, shërbimet në maternitet janë falas.

Sipas të dhënave të publikuara nga The Economist, të sjellësh në jetë një fëmijë kushton 7,700 dollarë në Zvicër,  rreth 5300 dollarë në Australi. Në Spanjë dhe në Afrikën e Jugut, kostot për të sjellë në jetë një fëmijë janë më pak se 2,000 dollarë.

Sjellja në jetë e një fëmije kushton më lirë se pjesa tjetër e botës, por… lindjet kanë rënë

Edhe pse për të sjellë në jetë një fëmijë, përpos ndjekjes së spitaleve private, ka edhe mundësi më ekonomike siç janë spitalet shtetërore. Për lindjet në spitalet shtetërore në Shqipëri, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor teorikisht mbulon kostot, në rast se nëna ka sigurime shëndetësore prej 11 muajsh deri në datën e përfitimit të paralindjes, sipas ligjit nr. 104, të vitit 2014.

Ajo çfarë ndodh praktikisht është një skemë e njohur për të gjithë. Doktori që ndjek lindjen merr 10 mijë lekë për lindje natyrale dhe shifrat e lindjes çezariane shkojnë deri në 50 mijë lekë, pavarësisht se nëna mund të jetë e siguruar.

Edhe pse kostot janë relativisht më të lira në krahasim me vendet e zhvilluara, gjatë vitit 2017, kanë lindur 30.869 foshnje, duke shënuar një rënie me 2,7%, krahasuar me një vit më parë. Numri i vdekjeve në vitin 2017, është 22.232 persona, duke shënuar një rritje me 3,9 %, krahasuar me një vit më parë. Shtesa natyrore e popullsisë është 8.637 persona.

Trouble Spots in Online Direct-to-Consumer Prescription Remedies


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë