Ekonomi

Dy kandidatët për Këshillin Mbikëqyrës të BSH-së, Angjeli dhe Ahmetaj, kalojnë për votim në Kuvend

Komisioni i Ekonomisë ka kaluar për votim në Kuvend, dy kandidaturat për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Anastas Angjelin dhe Natasha Ahmetajn.

Angjeli ish-deputet i Partisë Socialiste dhe ish-ministër i Financave, ishtë një ndër 17 emrat që prezantuan para komisionit.

Natasha Ahmetaj, kandidatja tjetër vjen nga radhët e Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së dhe në rast se votohet, merr një mandat të dytë si anëtare.

Në komision deputeti i Partisë Demokratike Arbi Agalliu i kërkoi deputetëve që anëtarët e këshillit mbikëqyrës të kenë gjithëpërfshirjen e mazhorancës dhe opozitës për aq kohë sa Banka e Shqipërisë është institucion i pavarur.

Në përgjigje të Agalliut, deputetja Blerina Gjylameti tha se kandidaturat janë shqyrtuar së bashku dhe është rënë kjo dakordësi.

Kriteret bazë që duhet të plotësojnë kandidatë për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës janë arsimi i lartë me profil ekonomik, ose juridik, përvoja profesionale në çështje financiare dhe bankare, kualifikime profesionale të profilit dhe një përvojë pune mbi pesë vjet në administratën publike, ose në institucionet financiare dhe bankare.

Lista e kandidatëve fillimish, iu vendos në dispozicion deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe pas u mbajtën dëgjesat publike me kandidatët që plotësojnë kriteret ligjore.

Pas dëgjesës publike, deputetët përzgjodhën kandidatët që do t’i paraqiten Kuvendit për votim. Për t’iu propozuar Kuvendit në votim, një kandidat duhet të marrë mbështetjen e të paktën 28 deputetëve.

Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi me një mandat 7-vjeçar dhe me të drejtë rizgjedhjeje. Pesë anëtarë propozohen nga vetë Kuvendi, tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave dhe një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë