Gazeta Si – Maqedonia e Veriut bëri surprizën e madhe në gjysmëfinale të “Play off”-it të Botërorit, duke eliminuar Italinë kampione Europe dhe duke kaluar në finale. Fqinjët tanë luajnë sot pikërisht 90-minutëshin që i ndan nga Botërori 2022, që do të ishte një arritje historike për ta.
Finalja me Portugalinë luhet sërish në transfertë për maqedonasit, ashtu si ajo me Italinë. Kristiano Ronaldo me shokë kanë avantazhin e tifozërisë, ndërkohë që kundërshtarin e kanë vlerësuar maksimalisht. Në radhët e Maqedonisë së Veriut aktivizohen edhe disa lojtarë shqiptarë, si Musliu, Ademi, Alioski dhe Bardhi.

Bllagoja Milevski, trajneri i Maqedonisë së Veriut, për finalen e sotme në “Dragao”, u shpreh: “Fituam në transfertë ndaj një prej skuadrave më të mira të botës, kampione e Europës. Nuk ndalemi këtu, kemi edhe hapin e fundit për të shkuar në Botëror. Kemi një skuadër të mirë, mes 20 më të mirave të Europës”.
Biletën e Botërorit të Katarit do ta marrin sot dy skuadra të tjera europiane. Përveç sfidës Portugali-Maqedoni e Veriut, luhet edhe një tjetër finale, Poloni-Suedi, ku njëri mes Levandovskit dhe Ibrahimoviçit do të mbetet jashtë Botërorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




