Gazeta Si – Portugalia luan të martën finalen ndaj Maqedonisë së Veriut në “Play-Off”-in e Botërorit të Katarit. Para kësaj sfide vëmendjen e ka marrë Kristiano Ronaldo, i cili ka reaguar me nervozizëm kur është pyetur, nëse për të do të jetë apo jo Botërori i tij i fundit.
“Po shikoj që shumë prej jush po bëjnë të njëjtën pyetje. Jam unë ai që vendos përtë ardhmen, askush tjetër, – është përgjigjur Ronaldo jo pak i bezdisur. – Nëse kam dëshirë të luaj sërish, nëse nuk kam më dëshirë… vendos unë dhe pikë. Për ne do të jetë ndeshja e jetës”.

Ronaldo më tej ka shtuar se dëshiron që tifozët ta mbështesin Portugalinë sa më fuqishëm në këtë finale: “U bëj një apel portugezëve: e vlerësojmë shumë mbështetjen tuaj dhe ajo që duam është pikërisht kjo gjë. Do të më pëlqente që njerëzit ta këndonin himnin kombëtar edhe pasi të përfundojë muzika.
Ka gjithmonë presion, por jemi të përgatitur për ta luajtur këtë finale. Maqedonia? Ishte befasuese, por nëse kanë ardhur deri këtu, do të thotë se e kanë merituar. Por, nuk mund të jetë një Botëror pa Portugalinë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




