Futboll

Mesi i paqartë për të ardhmen: Pas Botërorit, shumë gjëra do të ndryshojnë

Gazeta Si – Argjentina, e kualifikuar tashmë për në Katar 2022, mundi Venezuelën në “Bombonera”, ku një nga tre golat u shënuan nga Lionel Mesi. E ardhmja e tij, si për sa i takon klubit ku do të mbyllë karrierën (flitet për një rikthim te Barcelona), ashtu edhe për kombëtaren, është ende e padeshifruar.

Ka ndërkohë disa indicie, që tregojnë se “Pleshti” do ta mbyllë eksperiencën shumëvjeçare me Argjentinën pas Botërorit të Katarit. Pas ndeshjes së fundit, Mesi ka lënë të kuptohet se diçka në raportin e tij me kombëtaren do të ndryshojë.

Leo Mesi me trofeun e “Topit te Arte”. Gazeta Si, 26 mars 2022

“Nuk e di çfarë do të bëj pas Botërorit. Po mendoj për atë që po vjen, duhet të vlerësoj mirë disa gjëra pas Katarit. Nuk e di, nëse do të vazhdoj me Argjentinën. Për momentin mendoj vetëm për ndeshjen me Ekuadorin dhe pastaj ndeshjet e përgatitjeve të Botërorit, që do të luajmë në qershor dhe shtator. Shpresoj që të shkojnë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Sigurisht, shumë gjëra pas Kupës së Botës do të ndryshojnë. Jam i lumtur këtu, sidomos pas fitimit të Kupës së Amerikës”, – është shprehur argjentinasi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë