Futboll

Edhe një ndeshje mes dhimbjes, Italia luan me Turqinë për renditjen e FIFA-s

Gazeta Si – Mes dhimbjes Italia duhet të luajë edhe një ndeshje tjetër, atë me Turqinë. Kjo ndeshje mes dy skuadrave të eliminuara në gjysmëfinale të “Play off”-it të Botërorit duhet luajtur, sepse në lojë janë pikët për renditjen e FIFA-s.

Është një ndeshje, që askush në Itali nuk do të donte të luhej. Dhe për më tepër, pak ose aspak, për të thënë të vërtetën, ishin në dijeni të faktit se luhet edhe një ndeshje e tillë. Pse luhet të martën Turqi-Itali? Çfarë kuptimi ka të luhet mes dy të eliminuarave? Në fakt, nuk ka thuajse asnjë sens, nëse nuk do të ishin në lojë pikët për renditjen e FIFA-s.

Bëhet fjalë për renditje, mbi bazën e së cilës ndahen fashat në lidhje me eventet e mëdha ndërkombëtare, siç janë Europiani, Kupa e Amerikës dhe Botërori, ku Italia nuk do të marrë pjesë për herë të dytë radhazi.

Kështu, të martën, teksa Portugalia dhe Maqedonia e Veriut do të luajnë për një vend në Katar 2022, Turqia dhe Italia do të diskutojnë pikët që mund të jenë të dobishme për të ardhmen e largët. Do të jetë si një miqësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë