Në mbledhjen e zhvilluar në Komisionin e Ekonomis, ministrja e Financave, Delinda Ibrahimaj bëri me dije se rritja ekonomike gjatë vitit momental do të jetë më e ulët se 4.2%.
Në prezantimin e ndryshimeve të bëra në buxhet, Ibrahimaj tregoi se do të janë shkurtuar 16 mld lekë nga shpenzimet jo kryesore dhe janë shtuar 28 mld lekë për përballimin e rritjes së çmimeve të energjisë elektrike. Ministrja përmendi edhe paketën e rezistencës sociale 6 mld lekëve.
Pyetur nga deputeti socialist Erion Braçe mbi shtesën e të ardhurave që planifikohet këtë dhe sa nga ato do të vijnë nga rritja e çmimeve. Ibrahimaj tha se janë shtuar 10 mld lekë më shumë dhe nga rritja e çmimeve do të vijë vetëm 1.9 mld nga ku 1.2 janë vetëm nga rritja e çmimit të karburanteve.
“Ne parashikojmë që të kemi të ardhura shtesë nga rritja e çmimeve dhe parashikojmë një ngadalësim të konsumit. Nga rritja e çmimit kemi parashikuar atë që kemi pasqyruar në akt normativ”,-tha Ibrahimaj duke theksuar se janë bërë shkurtime në projekte që mund të presin.
Si pjesë e Komisionit, nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku ka kërkuar që qeveria të pezullojë pagesat e PPP-ve.
Sipas Tabakut kjo duhet të ndodhë në kohën që faturat e energjisë së biznesit po rriten ndjeshëm.
Ajo u shpreh se Akti Normativ duket i cunguar sidomos në një situatë kur gjasat janë që kriza të përkeqësohet dhe se rritja e çmimit të energjisë elektrike nuk ka një vendim nga enti rregullator i energjisë.
“Unë kam fatura të bizneseve që paguajnë më shtrenjtë dhe çmimi nuk është rritur me një vendim të institucioneve përkatëse. Si mund të ndodhë kjo? Ju pretendoni që nuk keni rritur çmimin por e vërteta qenka ndryshe”, tha Tabaku.
Ministrja e Financave referuar dhe njëherë deklaratës së saj mbi kufirin e varfërisë, duke thënë se sipas Instat kjo shifër është 126 euro për frymë, gjatë komisionit ndërparlamentar të Ekonomisë.
“Më është bërë një pyetje për një tregues statistikor që publikohet nga INSTAT që i takon kufirit të varfërisë dhe iu jam referuar kufirit të varfërisë të llogaritur nga INSTAT që për frymë është 126 euro, mund t’i referoheni INSTAT me mënyrën e llogaritjes së tyre që është metodologji e Eurostat që aplikohet në gjithë vendet e rajonit pra nuk jam shprehur për llogaritje të ministrisë së financave dhe ekonomisë por për një tregues statistikor të publikuar nga INSTAT“, u shpreh Ibrahimaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



