Futboll

Video/ Maqedonia e Veriut shokon Italinë, një tjetër Botëror pa kampionët e Europës

Gazeta Si – Italia mbetet jashtë Botërorit të Katarit. Në gjysmëfinale të “Play off”-it ka fituar Maqedonia e Veriut, 0-1, duke shkuar kështu në finale, ku do të ndeshet me Portugalinë, që mundi 3-1 Turqinë.

Një makth i vërtetë për Italinë, që do të mbetet sërish jashtë Botërorit. Aleksandar Trajkovski shënoi në kohën shtesë golin që vendosi ndeshjen në “Renzo Barbera” të Palermos. Ndeshja u luajt e gjitha në gjysmëfushën e miqve, por golin e vetëm e gjetën pikërisht ata. Në formacionin e Maqedonisë së Veriut luanin edhe tre lojtarë shqiptarë, Musliu, Ademi dhe Bardhi.

Humbje shokuese për Italinë, që mbetet jashtë kompeticionit më të rëndësishëm ndërkombëtar për të dytën herë radhazi, pas Rusi 2028. Djemtë e Mançinit e dominuan gjithë ndeshjen, por shpërdoruan pa fund dhe u ndëshkuan në minutën e 92-të nga një gol spektakolar i Trajkovskit, i cili gjuajti fort nga jashtë zonës.

Maqedonasit tani kanë shansin për të shkuar në Botëror, por duhet të eliminojnë edhe Portugalinë. Ndaj Italisë ata nuk kishin të gatshëm mesfushorin e Napolit, Elmaz.

Portugalia mundi 3-1 Turqinë, me gola të shënuar nga Otavio, Diogo Jota dhe Nunes. Për turqit shënoi veterani Burak Jullmaz, i cili pati shansin ta barazonte rezultatin në 2-2, por gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Finalja me Maqedoninë e Veriut pritet të jetë më e lehtë për Portugalinë.

Ka kaluar në finale edhe Uellsi, që mundi 2-1 Austrinë, falë një dopiete teë Gereth Bejl. Ndeshja mes Suedisë dhe Çekisë shkoi me shtesë dhe u mbyll 1-0, me një gol te Kuaison në minutën e 110-të. Tani në finale ndeshen Uellsi dhe Suedia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë