Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj në konferencë për shtyp të mbrëmjes së të premtes, njoftoi se tregtuesit e produkteve në Shqipëri kanë vendosur garanci që produktet të mos mungojnë në vend për një periudhë afatmesme.
Ministrja theksoi se në ditët në vijim do të ketë kontrolle tek tregtarët me pakicë që të mos ketë abuzime në një situatë luftë dhe të mbrohen konsumatorët.
“Jo tq gjithë rritjet e çmimeve në vend, pasqyrojnë rritjet në tregjet e jashtme. Nuk do të lejojmë të rriten me shumë ndryshim nga ato të importuara”,-tha Ibrahimaj.
Ajo thekson se çmimet nuk kontrollohen dot në formë arbitrare sidomos në një treg ushqimor ku ka shumë marka dhe tregtues, përpunues etj.
Ministrja e Financave ka ripërsëritur se qeveria nuk do të ndërhyjë në TVSH, sidomos në një kohë krize, sepse produktet tregtohen nga subjektet që nuk taksohen.
“90% e furrave të bukës që kanë reflektuar rritjen e miellit në nënproduktet janë biznese të vogla dhe nuk përfshihen në skemën e TVSH-së”, -tregoi ministrja Ibrahimaj, në përgjigje të pyetjes së heqjes së TVSH-së për produktet e shportës.
Pjesë e konferencës, ishte dhe ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca e cila tha se po punohet me operatorët e brendshëm të tregut për të kuptuar dhe plotësuar nevojat që kanë konsumatorët, sidomos lidhur me grurin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



