Gazeta Si – Armand Duka, presidenti i FSHF-së, i rizgjedhur në Asamblenë e 15 marsit, mbetet i pezulluar nga detyra, ashtu sikurse edhe sekretari i FSHF-së, Ilir Shulku. Institucioni që drejton futbollin në vend mbetet kështu, për momentin, pa dy drejtuesit e tij më të lartë.
Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë sot në fuqi vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Tiranës, që e kishte dënuar Armand Dukën dhe dy zyrtarë të tjerë me “pezullim të ushtrimit të detyrës”, për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. FSHF aktualisht ka një president dhe një sekretar të pezulluar nga detyra dhe mbetet të shihet si do të vazhdojë kjo çështje, nëse do të ketë rekurs nga ana e Dukës, apo jo. Në këto kushte ai nuk mund të ushtrojë detyrën.
Vendimi i plotë i Gjykatës së Apelit:
Në përfundim të gjykimit të çështjes lidhur me ankimin ndaj vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me të cilin u caktua masa e sigurimit ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a sherbimi publik”, ju informojme se:
Së pari: kerkesa e ankuesve për përjashtimin e gjyqtarit të çështjes mbi shkakun se ai ishte zgjedhur në Dhomen Kombetare të Zgjidhjes së Konflikteve, nuk u pranua, pasi gjyqtari nuk e ka ushtruar asnjeherë këtë funksion, që mundësohej vetëm me leje të Këshillit të Lartë Gjyqësor, leje që nuk është dhënë në rastin konkret.
Së dyti, lidhur me gjykimin, çështja u shqyrtua me ankimin e tre personave nën hetim, A. H., I. Sh. dhe A. M., të cilët kërkuan ndryshimin e vendimit dhe rrëzimin e kerkesës së prokurorit për caktimin e masës ndaluese. Sipas ankuesve, mungon dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, për kryerjen e ndonjë vepre penale, si dhe asnjë prej tyre nuk është marrë i pandehur dhe as ushtron një funksion publik, referuar organizimit në formën e nje OJF-je (shoqate), që operon në mënyrë të pavarur nga shteti. Po ashtu, vetë prokurori ka kërkuar pezullimin nga ushtrimi i një veprimtarie profesionale apo afariste, çka sipas anluesve, tregon se edhe organi i akuzës ka qenë i bindur, se personat nën hetim nuk janë funksionarë publike. Lidhur me këtë pretendim, mbrojtësi i ankuesve, referoi një sërë normash të së drejtës ndërkombëtare dhe asaj të brendshme.
Në vijim, mbrojtja parashtroi pretendimet mbi hetimet, që sipas saj bazohet ne disa shkrime në media, ndërkohë nuk ka asnjë provë lidhur me objektin e hetimit dhe veprën penale të falsifikimit.
Kundrejt pretendimeve të ankuesve, prokurori i apelit, Z.Genti Xholi, i kërkoi gjykatës të miratoje vendimin e ankimuar, si një vendim i drejtë. Prokurori mbajti qendrimin se gjykata e shkallës së parë u ka dhënë përgjigje të gjitha pretendimeve të ngritura nga ankuesit. Prokuroria ka filluar një procedim penal konform ligjit procedural, ndërsa masa e caktuar garanton hetimin dhe ligji e përcakton atë me afat tremujor.
Në përfundim të gjykimit, në vlerësim të pretendimeve të ngritura në ankimet e personave nën hetim, Gjykata e Apelit Tiranë vendosi:
⁃ Miratimin e vendimit nr. 492/1 akti, datë 04.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Nga hetimet e deritanishme të prokurorisë ka rezultuar se në disa nga dosjet e ekipeve ka një numër më të vogël lojtarësh të federuar krahasuar me atë të deklaruar në sistemin “Comet”, i cili është sistemi që merret për bazë në lidhje me gjenerimin e të dhënave zyrtare për numrin aktiv të lojtarëve të federuar. Numri i lojtarëve të federuar është përcaktues sipas satutit të FSHF-së dhe Shoqatës Rajonale Tiranë për përfaqësimin në asamblenë e përgjithshme nga delegatët e çdo shoqate apo klubi pjesëtar.
Duke qenë se numri i lojtarëve të federuar, sipas sistemit “Comet”, nuk korrespondon me atë faktik në dosjet e klubeve, lind dyshimi i arsyeshëm se mund të jenë shtuar/regjistruar fiktivisht lojtarë të cilët nuk kanë kartelat përkatëse në dosjet e ekipeve. Për këtë arsye është vendosur edhe masa e pezullimit për Armand Dukën dhe Ilir Shulkun. Ndërkohë, edhe pse i pezulluar nga detyra, Armand Duka u rizgjodh në krye të FSHF-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




