Drejtësia

Del nga regjimi i burgut të rreptë, Kushtetuesja: Shullazit iu cenua e drejta për proces të rregullt ligjor

Gazeta Si – Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Emiljano Shullazit, duke bërë që ai të dalë nga regjimi “41 Bis”.

Sipas vendimit të Gjykatës “mbyllja e Shullazit në regjimin 41 bis është antikushtetuese”. Emiliano Shullazi ankimoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin për qëndrimin e tij në regjimin e izolimit “41 bis”.

“Konstatimin e cenimit të së drejtës për proces të rregullt ligjor gjatë gjykimit të ankimit ndaj urdhrit nr. 253, datë 28.07.2020 të ministrit të Drejtësisë “Për vendosjen në regjimin e posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë për të paraburgosurin Emiljano Shullazi”, si pasojë e mosrespektimit të parimit të kontradiktoritetit”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ankimimi i Shullazit në Kushtetuese vjen pasi Gjykata e Lartë rrëzoi pretendimet e tij për të dalë nga ky regjim i sigurisë së rreptë.

Procesi ndaj Emiljano Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij nisi në dhjetor të vitit 2018 në Apel. Pas 83 seancash gjyqësore të zhvilluara në dy vite Gjykata e Posaçme e Apelit dënoi me vendim të formës së prerë me 55 vite burg Emiliano Shullazin dhe grupin e tij, nën akuzën e gjobëvënies dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal,

Emiliano Shullazi është dënuar me 14 vite burg, ndërsa me 12 vite burg u dënua Gilmando Danin, Endrit Qyqja me 10 vite, Indrit Zela me 10 vite dhe Blerim Shullazi me 9 vite burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë