Politike

Rama ngre tjetër bord: Do vendosë çmimet e ushqimeve, por konsumi s’ka rënë

Qeveria do të ndërhyjë edhe në produktet e ushqimeve bazë, duke diktuar marzhin e fitimit dhe bërë transparencë për të gjitha kostot e zinxhirit të furnizimit. Çmimet do të vendosen nga një bord i ngjashëm me atë të karburanteve.

“Do të krijojmë një bord të përbashkët për çmimet e ushqimeve bazë të shportës dhe ky bord i përbashkët do të përbëhet nga përfaqësues të qeverisë dhe përfaqësues tuaj, të shumicës dhe të pakicës dhe çmimet e ushqimeve bazë do të vendosen aty askush nuk mund të vendosë çmime të tjera nga çmimet e vendosura nga bordi. Do të kalojmë akt normativ dhe nëse dikush luan me çmimet jashtë çmimeve të përcaktuara nga bordi, do të humbasë të gjithë mallin. Do t’i sekuestrohet”, tha Kryeministri Edi Rama në një takim me tregtarët e shumicës dhe pakicës të ushqimeve.

Rama solli si shembull rritjen e çmimit të vajit. Edhe këtu, si me tregtarët e karburanteve, Rama kërkoi ‘sakrifica’.

“Tani është momenti për të harruar fitimin dhe vendosjes së përballimit të kësaj sfide shumë të madhe dhe të mbështetjes së atyre që janë më në nevojë se ne që jemi këtu. Janë disa produkte bazë të shportës dhe produkti më domethënës është vaji, që kanë kërcyer në çmim jo pa arsye”, tha ai.

Kryeministri përsëriti se nuk beson të ndërhyrja e Qeverisë në treg, por periudha është e pazakontë dhe kjo lind nevojën e ndërhyrjes.

“Ne besojmë se ka hapësirë të mjaftueshme për të manovruar me një ulje të çmimit për to”, shtoi Rama.

Megjithatë, Kryeministri u shpreh se konsumi nuk ka rënë dhe këtë Qeveria e lexon si shenjë domethënëse për të rrëzuar akuzat e mjerimit ekstrem.

“Asnjë eksperiment fitimprurës këtu me idenë që këta po vazhdojnë të blejnë. konsumi nuk ka rënë, është shumë domethënëse për ne, që tregon diçka krejt tjetër nga propaganda e shfrenuar e mjerimit ekstrem, por kjo nuk do të thotë aspak që situtata është e tillë ku ju mund të vazhdoni me këto çmime”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë