Gazeta Si – Ironia e fatit. Ironi edhe nga “L’Equipe”, që merr shkas nga ndeshjet e fundit të Ligës së Kampionëve, e mbetur pa ekipe franceze dhe me paradoksin PSG. Në çerekfinale kanë shkuar tre ish-trajnerë të kësaj skuadre, ata që nuk kanë shkuar mirë me emirin e Katarit dhe që pas largimit kanë bërë më mirë diku tjetër.
Tomas Tuhel mbi të gjithë, kampion në fuqi i Europës me Çelsin dhe i kualifikuar në çerekfinale. Mes 8 skuadrave më të mira të Europës janë edhe Real Madrid i Karlo Ançelotit dhe për herë të parë në karrierë edhe Unai Emeri, në kryer të Vilarrealit. Tani PSG-së nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të gjejë një pasues për Poketinon.

“Ironia, – shkruan e përditshmja franceze, – godet 3 herë PSG-në, si Benzema”. Referimi është për humbjen 3-0 në “Bernabeu”, që zhvlerësoi fitoren 1-0 të PSG-së me golin e Mbape. I pari që goditi ishte Ançeloti, trajneri i parë i emirit që u largua pas një viti e gjysmë dhe një titulli kampion në 2012-ën. Italiani shkoi në Madrid, fitoi të famshmen “decima”, u kthye verën e kaluar dhe tashmë eliminoi ish-skuadrën e tij.

Ikja nga Parisi e bëri mirë edhe Tuhelit, i larguar 14 muaj më parë. Gjermani një muaj më pas u ul në stolin e Çelsit, me të cilin fitoi trofeun e Championsit. Të mërkurën, pavarësisht të gjitha problemeve që lidhen me sanksionet ndaj oligarkëve rusë, skuadra e tij siguroi një vend në çerekfinale. Eliminoi Lilën, që sezonin e kaluar i hoqi titullin PSG-së.
Dhe në fund Emeri. Spanjolli që hyri në histori parisiene me përmbysjen e “Camp Nou” në 2017-ën (nga 4-0 në 6-1), nuk kishte munduar asnjëherë më parë të kalonte turin e 1/8-ve në Champions. E bëri me Vilarrealin, duke nxjerrë jashtë Juventusin, me një 0-3 që kujton atë të “Bernabeut”.

Pra, të dështosh me PSG-në të bën mirë për karrierën, sapo të largohesh nga Parisi. Një shenjë e mirë kjo për Poçetinon, që duhet të largohet në qershor për t’u kthyer në Premier Ligë. Ka nisur tashmë gjuetia për pasuesin e tij, atë që do t’i dhurojë më në fund Championsin emirit. Në krye të listës është Zinedin Zidan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




