Futboll

Dinamo prezanton italianin Rodolfo Vanoli: Qëndrojmë në Superiore!

Gazeta Si – Klubi Dinamo ka prezantuar sot trajnerin e ri, Rodolfo Vanoli. Italiani 59-vjeçar është trajneri i tretë gjatë këtij sezoni për këtë skuadër, që lufton për qëndrimin në Superiore.

Vanoli, me një karrierë gati 20-vjeçare mes Italisë dhe Sllovenisë, ka theksuar gjatë konferencës së prezantimit se Dinamo do të qëndrojë mes më të mirëve të futbollit shqiptar: “Jam i nderuar që të drejtoj një skuadër si Dinamo, që ka historinë e saj në futbollin shqiptar. Nëpërmjet miqve të përbashkët kam pasur kontakte me presidentin Bardhi dhe ramë dakord që të marr drejtimin e skuadrës në këtë moment delikat.

Rodolfo Vanoli, trajneri i ri i Dinamos. Gazeta Si, 16 mars 2022

Nuk i druhem faktit që kjo skuadër rrezikon rënien. Kam besim dhe bindje se Dinamo do të qëndrojë, sepse ka lojtarë të mirë. Ky është objektivi primar, sigurimi i qëndrimit në kategori, pastaj të shohim.

Tani jemi të përqendruar te ndeshja me Tiranën, që është shumë e vështirë, por na duhet patjetër të marrim rezultat pozitiv dhe të fillojmë të ngjitemi në tabelë. Jam optimist, nuk kam frikë. Nëse ke frikë, do të transmetosh frikë”, – tha mes të tjerash trajneri italian. Vanoli do të debutojë në stolin blu në derbin me Tiranën, që luhet të shtunën në Elbasan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë