Pas Lionel Mesit, edhe Kristiano Ronaldoi është jashtë Ligës së Kampionëve, çka tregon se epoka e dy yjeve që kanë dominuar futbollin botëror në vitet e fundit tashmë ka përfunduar. Mançester Junajtid është mundur në “Old Trafford”, 0-1, nga Atletio Madrid, që e sheh veten në çerekfinale.
Ndeshja u vendos nga një gol me kokë i Lodit në pjesën e parë. Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave kishte përfunduar në barazim, 1-1, ndërsa në kthim ka triumfuar Simone. Në Angli u luajt një ndeshje e fortë, me shumë raste për shënim. Në pjesën e parë ishin “Djajtë e kuq” ata që bënë lojën, por golin e gjeti Renan Lodi, pas një asisti të Grizman.
Në pjesën e dytë Mançesteri sulmoi gjithë kohën, por portieri Jan Oblak ishte i pakalueshëm. Kristiano Ronaldo mbeti thatë në këtë ndeshje dhe po ashtu thatë edhe këtë sezon në Ligën e Kampionëve.
Është kualifikuar për ne çerekfinale në mënyrë të befasishme edhe Benfika, që fitoi po 0-1 në fushën e Ajaksit, ndërsa ndeshja e parë ishte mbyllur në barazim, 2-2. Portugezët shfrytëzuan një gafë të portierit Onana dhe shënuan golin e kualifikimit me Nunez.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




