Futboll

Video/ Milani nis shkëputjen me Kalulu. Zhgënjen Bajrami, Asllani 90 minuta në fushë

Milani mundi 1-0 Empolin për javën e 29-të të Serisë A, duke forcuar për momentin pozitat në krye të renditjes. Ndeshja u vendos nga një gol i mbrojtësit Kalulu që në pjesën e parë. Ai goditi saktë me të majtën nga jashtë zonës, duke kapur në befasi portierin Vikario.

Zhiru dhe Kesi patën raste për shënim te Milani, por nuk arritën ta çonin topin në rrjetë. Gjatë pjesës së dytë ishte skuadra mike që pati më shumë iniciativë. Luperto dhe Bajrami u ndalën nga portieri Maignan dhe asgjë nuk ndryshoi në rezultat deri në fund.

Nga kuqezinjtë, Bajrami dhe Asllani ishin titullarë tek Empoli, si zakonisht këto ndeshjet e fundit. Bajrami, për të cilin Milani ka shprehur interes, nuk u ngjit në nivelin që pritej dhe u ndërrua në pjesën e dytë edhe për shkak të një problemi fizik. Mesfushori Kristjan Asllani luajti një 90-minutësh të plotë dhe gjithmonë e më tepër po bëhet i rëndësishëm për skuadrën.

Milani kryeson me 63 pikë, i ndjekur nga Interi me 58 pikë, por me dy ndeshje më pak. Ka fituar sot edhe Juventusi, për herë të tretë ardhazi, duke fituar terren në tabelë, ku tashmë kërcënon Napolin për vendin e tretë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë