Gazeta Si – Vllaznia-Tirana, apo ‘Klasikja e Shqipërisë”, siç njihet në futbollin shqiptar, zhvillohet sot në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, ku të zotët e shtëpisë e kanë detyrim fitoren. Skuadra e trajnerit Bërdariç ka shansin të shkurtojë diferencën prej 14 pikësh me Tiranën kryesuese dhe të forcojë pozitat e saj në zonën europiane.
Tirana vjen në këtë ndeshje me komoditetin që i jep diferenca e madhe që ka krijuar me ndjekësit, por kuptohet që kjo nuk mjafton, aq më tepër që trajneri Orges Shehi ka dy mungesa titullarësh, Totren dhe Toshevskin. Kryeqytetasit kanë sulmin një “armë” shumë të fortë, me dyshen Seferi-Xhixha, që godet në çdo moment dhe këtë mund ta bëjë edhe në Shkodër.

Edhe Vllaznia ka mungesa, duke nisur nga kapiteni Gurishta, por edhe lojtarë të tjerë si Jonuzi dhe De Silva. Për shkodranët kjo ndeshje është shumë e rëndësishme, jo vetëm për rivalitetin me Tiranën, por për të siguruar një vend në kupat e Europës.
Në fushë zbret sot edhe Partizani, që do të presë Egnatian në stadiumin “Elbasan Arena”. Të kuqtë kanë nisur ngjitjen, por janë ende larg vendeve të para dhe duhet të fitojnë me çdo kusht për të shpresuar në javët në vazhdim se mund të shkojnë në Europë.
Java e 25-të e Abissnet Superiores do të vazhdojë të dielën me ndeshjet Dinamo-Kukësi që luhet në stadiumin e Kamzës, Teuta-Kastrioti që luhet në Shkodër, dhe Laçi-Skënderbeu, ku në stolin e korçarëve do të debutojë trajneri Skënder Gega.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




