Futboll

Jurgen Klop: Më vjen keq për Tuhel dhe Çelsin, Putini është fajtori i vetëm

Gazeta Si – Momenti që po kalon Çlesi ka sjellë solidaritetin e klubeve të tjera të Premier Ligës. Klubi londinez është limituar në gjithçka tashmë, i është bllokuar merkatoja dhe ka ndërprerë marrëdhëniet me disa sponsorë.

Gjithçka për shkak të lidhjeve të Roman Abramoviçit me Vladimir Putinin dhe qeverinë ruse, përgjegjës për konfliktin në Ukrainë. Masat ndaj manjatit rus godasin financat e klubit, rrjedhimisht edhe skuadrën dhe punonjësit e tjerë. Trajneri gjerman i Liverpulit, Jurgen Klop, ka mbajtur qëndrim për sanksionet e qeverisë angleze ndaj Abramoviçit.

Jurgen Klop. Gazeta Si, 11 mars 2022

“Më vjen keq për trajnerin Tuhel, lojtarët dhe të gjithë punonjësit e Çelsit, sepse nuk është situatë e bukur. Ata nuk kanë lidhje me atë që po ndodh. Ka vetëm një fajtor dhe ai është Putini. Nuk e di cili është pozicioni i Abramoviçit në këto dinamika, por mendohet se është shumë afër Putinit dhe mendoj se qeveria angleze ka bërë mirë, të jem i sinqertë” – ka thënë Klop.

Edhe Frenk Lampard, ish-lojtar dhe ish-trajner i Çelsit, sot trajner i Evertonit, ka thënë fjalën e tij: “Kam luajtur 13 vjet dhe kam qenë 2 vjet trajner. Kam shumë miq dhe më vjen keq për ta, ashtu si dhe për tifozët. Është një moment i vështirë për skuadrën”.

Tomas Tuhel, trajner i Çelsit, pas ndeshjes me Noruiçin ka bërë pak ironi: “Mund të veshim gjithmonë fanella me mesazhe paqeje dhe kjo nuk është e gabuar. Ndoshta problem do të jetë të gjejmë mjaftueshëm fanella, me këto sanksione. Për sa kohë të kemi uniforma, do të luajmë dhe për sa kohë autobusi do të ketë benzinë, do të shkojmë kudo dhe do të jemi kompetitivë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë