Futboll

Mbyllet ‘Air Albania’, vetëm 4 nga 10 klubet e Superiores kanë fushë aktualisht

Gazeta Si – Stadiumi ‘Air Albania’ nuk do të jetë më i disponueshëm për klubet shqiptare për këtë sezon. Impianti më i madh i futbollit në vendin tonë do të presë finalen e Ligës së Konferencës në muajin maj dhe duhet të jetë në gjendjen më të mirë. Për këtë arsye, në fushën e tij nuk do të ketë më ndeshje kampionati, çka e bën edhe më problematike situatën me stadiumet.

Aktualisht janë vetëm katër klube, që i luajnë ndeshjet e kampionatit në fushat e tyre: Vllaznia, Skënderbeu, Laçi dhe Egnatia. Gjashtë skuadrat e tjera të Superiores nuk kanë fushë dhe gjatë sezonit kanë luajtur në stadiume dhe qytete të ndryshme, kryesisht në Elbasan. Tani që edhe ‘Air Albania’ nuk do të jetë i disponueshëm, vështirësitë për të gjetur një fushë të lirë shtohen.

“Elbasan Arena”, stadiumi që do të presë më shumë ndeshje. Gazeta Si, 8 mars 2022

“Niko Dovana” i Durrësit, “Kukës Arena” i Kukësit dhe “Selman Stërmasi” i Tiranës nuk i kanë përfunduar ende punimet dhe nuk janë gati. Në këto kushte, Tirana, Partizani, Dinamo, Teuta dhe Kukësi do të vuajnë për të gjetur një fushë të lirë për të luajtur si pritëse.

Stadiumin e Kamzës e ka zënë Kastrioti dhe pjesën më të madhe të ndeshjeve deri në fund të sezonit pritet ta përballojë “Elbasan Arena”. Por edhe këtu duhet një koordinim perfekt, për t’u dhënë mundësinë tre ekipeve të kryeqytetit, Kukësit dhe Teutës që të organizojnë ndeshjet. Mund të shfrytëzohen edhe stadiumi i Rrogozhinës dhe ai i Shkodrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë