Futboll

Liga e Kampionëve/ Interi beson te përmbysja e pamundur sot ndaj Liverpulit

Interi synon të prishë sot në Ligën e Kampionëve “ditëlindjen” e Liverpulit, që nuk humb në fushën e vet prej një viti (që më 7 mars 2021 ndaj Fulhemit). Skuadra italiane humbi 0-2 në ndeshjen e parë dhe sot ka nevojë për kurajë, kualitet, intensitet dhe pak fat, që i mungoi në Milano.

Në kampin zikaltër ka besim, pavarësisht ‘malit’ të lartë që duhet kaluar, në limitin e së pamundurës, sepse Interi duhet të fitojë me 2 gola diferencë për ta çuar të paktën në shtesë ndeshjen dhe për të shpresuar kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ku mungon prej vitit 2011.

Formacionet e mundshme të Liverpul-Inter. Gazeta Si, 8 mars 2022

Fitorja e thellë me Salernitanën e ka përmirësuar humorin tek Interi, por Liverpuli është tjetër gjë, është një nga skuadrat më të forta të Europës. Mungon Barela i skualifikuar, luan Vidal në vend të tij. Perisiç duket se është rikuperuar, ndërsa Sançez dhe Xheko janë në balotazh.

E rëndësishme është që Interi të mos pësojë gol sot në “Anfield”. Atmosfera e “You’ll never walk alone” do të bëjë të vetën dhe sulmi i anglezëve të frikëson, por gjithçka mund të ndodhë. Thelbësore do të jetë ajo çka do të bëjnë Brozoviç dhe Çalhanoglu për ta mbajtur topin larg Handanoviçit.

Ndeshja tjetër që luhet sot është ajo mes Bajernit të Mynihut dhe Salcburgut, që në aktin e parë barazuan 1-1. Bavarezët janë favoritë absolutë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë