Rusia ka përfshirë Shqipërinë në listën e vendeve jomiqësore, që përmes një dekreti të firmosur nga Vladimir Putin do t’u nënshtrohen disa kufizimeve në marrëdhëniet dypalëshe.
Mes këtyre kufizimeve është detyrimi i të gjitha kompanive dhe institucioneve publike e private ruse që nëse kanë pagesa për të shlyer ndaj kompanive, apo institucioneve shqiptare të paguhen në rubla dhe jo në dollarë, apo euro.
Dekreti nuk shenjëstron vetëm Shqipërinë, por të gjitha vendet të cilat u janë bashkuar sanksioneve të vendosura nga perëndimi pas pushtimit ushtarak të Rusisë në Ukrainë.
Ekspertët thonë se më shumë se një dekret që shpall “armiq” të gjithë shtetet që kanë nisur sanksionet ndaj Moskës, dekreti është një përpjekje për të mbrojtur rublën ruse, që ka humbur 40 për qind të vlerës së saj brenda një jave.
Sipas një analize të JPMorgan, sanksionet e Perëndimit dhe kostot e fushatës ushtarake në Ukrainë mund të shtyjnë ekonominë ruse drejt një kolapsi të ngjashëm me atë të 1998-s. Në atë kohë, kriza ekonomike u nxit nga lufta në Çeçeni, që sipas përllogaritjeve i kushtonte Moskës rreth 30 mln dollarë në ditë.
Ndërkohë, fushata ushtarake në Ukrainë nga vlerësime jozyrtare përllogaritet që t’i shkaktojë Rusisë kosto deri në 15 miliard dollarë në ditë, përfshirë këtu edhe dëmet ekonomike e financiare të shkaktuara nga sanksionet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



