Treg

Lulëzon ‘tregu i zi’ i miellit në rrethe, furrat e bukës detyrohen të rrisin çmimet

Lulëzon ‘tregu i zi’ i miellit në rrethe, furrat e bukës detyrohen të rrisin çmimet

Prej disa ditësh, në rrethe po vërehet një rritje e shpejtë e çmimit të miellit nga tregtarë që furnizojnë furrat e bukës.

Shoqata e prodhuesve të bukës ka ngritur alarmin për lulëzimin e “tregut të zi” të miellit i cili po krijon një konkurrencë të pandershme që dëmton edhe prodhuesit e bukës, por edhe konsumatorin.

Në një intervistë për Gazetasi.al, kreu i shoqatës së prodhuesve të bukës Gëzim Peshkëpia tha se nga vëzhgimet e kryera, përveç Tiranës, ky fenomen po vërehet në qytetet si Fieri, Vlora, Shkodra, Gjirokastra, Lushnja si dhe zonat rurale.

Sipas Peshkëpisë, nga kontaktet me drejtuesit e Fabrikave të Miellit, por dhe me prodhuesit e bukës në rrethe, vihet re një diferencë shumë e madhe e çmimit midis shitjes nga fabrikat dhe çmimit që blihet nga furrat e bukës.

“Ne ju bëjmë thirrje të gjithë menaxherëve dhe tregtarëve që marrin miellin nga fabrikat  dhe e dërgojnë në furrat e bukës, që të bëjnë kujdes në këtë moment pasi të gjithë ne jemi pjesë zinxhir i furnizimit të popullit me bukë dhe  duhet tē sillemi me pergjegjësi në këto situata të vështira”.

Peshkëpia tha se ndonëse situatat mund të rëndohen më shumë në ditët në vazhdim, rritja aktuale e çmimit të bukës është e shkaktuar pikërisht nga sjellja abuzive e tregtarëve të miellit në tregun e zi, duke shfrytëzuar situatën e vështirë në të cilën gjendet sot ekonomia e vendit.

Në disa rrethe furnizim me miell po bëhet nga persona të veçantë te cilët po bëjnë rolin e sekserit, duke u futur në treg dhe duke rritur  artificialisht çmimin  e miellit në furrat e bukës .

Prandaj kërkojmë nga të gjithë kolegët, që para se të bëjne furnizimin me miell, të bëjnë verifikimin e duhur pranë fabrikave, në mënyrë që të marrin vesh se me cfarë çmimi del mielli nga fabrika dhe me cfarë çmimi ju vjen ne furrë, në këtë mënyrë mund të ndalohet abuzimi me çmimin nga ana e ketyre  seksereve”, u shpreh Peshkëpia.

Sipas kreut të shoqatës së prodhuesve të bukës, sot në Tiranë mielli del nga fabrika për furrat e bukës me koston 640-650 lekë, ndërsa në rrethe çmimi I miellit për kg varion deri në 750 lek, rritje aspak e justifikueshme.

“Ne të gjithë duhet të jemi te kujdesshëm dhe të bëjmë të pamundurën që të mos rrisim çmimin e bukës ndonëse nuk e dimë se si do të jetë situata më tej, të paktën jo artificialisht”,tha Peshkëpia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë