Në raportin e fundit të Moody’s për Shqipërinë, parashikohet një normalizim i inflacionit në 2.6%. Përpos inflacionit, parashikohet dhe rënia e borxhit publik të vendit duke theksuar se aftësia paguese mbetet e njëjtë me periudhën para-krizës së shkaktuar nga pandemia.
“Indikatori i aftësisë paguese të borxhit në periudhën 2022-2023 parashikohet në 7.6% të të ardhurave të qeverisë, po aq sa në periudhën para pandemisë, si dhe poshtë nivelit të dekadës së fundit, pranë 9.7%”.
Elementi i vulnerabilitetit të jashtëm projektohet në rënie këtë vit, nga 51.6 pikë në 2021-shin, në 47.5 pikë në 2022-shin. Kjo rënie lidhet me rritjen e rezervave ndërkombëtare të Bankës së Shqipërisë, por që tregon se pavarësisht krizës së shkaktuar nga pandemia apo situatës me të cilën përballet globi sot, financat vijojnë të jenë të shëndosha dhe larg ndonjë rreziku madhor potencial.
“Nota e borxhit dhe analiza që bën agjencia për të arritur në një përfundim është më e kuptueshme. Kështu, të tre këta faktorë ndikojnë shumë negativisht në profilin e borxhit të Shqipërisë”, – nënvizon Moody`s, duke theksuar se peshën më të madhe e ka faktori social.
“Ekspozimi ndaj rreziqeve sociale është i lartë dhe lidhet kryesisht me cilësinë e shërbimeve bazike, faktorët demografik jo të favorshëm, emigrimin e lartë, si dhe popullsinë në plakje, që do të peshojë në terma afat-gjatë. Edhe shëndeti, të ardhurat, arsimi, apo puna vlerësohen si burim rreziku për profilin e borxhit të Shqipërisë, paçka se në një nivel më të moderuar”, nënvizon agjencia.
Sa i përket notës mbi qeverisjen, vlerësuar si negative e moderuar, sundimi i ligjit dhe kontrolli i korrupsionit mbeten të dobëta.
Sa i përket indikatorëve makro-ekonomik, rritja ekonomike për vitin e kaluar dhe atë aktual është rishikuar në rritje, nga 7.6% në 8.9% për vitin që lam pas, dhe nga 4.2% në 4.5% për vitin aktual. Sa i përket vitit të ardhshëm ndërkohë, Moody`s parashikon një rritje ekonomike pranë 4%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



