Futboll

Luftë (fjalësh) mes lojtarëve, akuza të ashpra mes Dzubas, Mikolenkos dhe Jarmolenkos

Gazeta Si – “Lufta do të përfundojë, ndërsa raportet njerëzore do të mbeten dhe për to nuk do të jetë e mundur të kthehen mbrapsht”. Pas mesazheve të kolegëve ukrainas, sulmuesi i Rusisë, Artem Dzuba, ka reaguar në profilin e tij në Instagram, ku ka komentuar ngjarjet e fundit.

“Nuk doja të komentoja atë çfarë po ndodh në Ukrainë, – ka shpjeguar lojtari i Zenitit. – Nuk kam frikë, por nuk jam ekspert e politikës, nuk më takon mua ta flas. Por natyrisht, kam një opinion timin. Jam kundër çdo lloj lufte, është diçka e frikshme. Po ashtu, urrej racizmin, diskriminimin, agresivitetin dhe urrejtjen njerëzore. Nuk e kuptoj pse sportistët e vendit tim duhet ta vuajnë këtë situatë”.

Artem Dzuba dhe postimi i tij. Gazeta Si, 3 mars 2022

Pas vendimeve të federatave kryesore sportive në nivel botëror, sportistët rusë dhe bjellorusë janë përjashtuar nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare. “Kur thuhet se sporti duhet të qëndrojë jashtë politikës, pse ky rregull përjashtohet? – vazhdon Dzuba. – Në momente vështirësish njerëzit tregojnë esencën, ndonjëherë edhe negative. Kam parë shumë ligësi dhe urrejtje ndaj rusëve, pavarësisht ideve dhe profesioneve të tyre. E gjitha kjo krijon më shumë negativitet. Mbajeni mend: lufta do përfundojë, raportet njerëzore mbeten”.

Nuk kanë munguar reagimet e Mikolenkos dhe Jarmolenkos, që më parë u kishin kërkuar në një mënyrë agresive që futbollistët rusë të mbanin qëndrim. “Ti bastard rri në heshtje bashkë me shokët e skuadrës, ndërsa civilët vriten në Ukrainë, – shkruan Mikolenko, që i kishte bërë ‘tagg’ edhe Dzubas në historitë e tij. – Do rrish i fshehur në një vrimë për gjithë jetën. Jam i lumtur që askush nuk do t’ua falë kurrë, bastardë”.

Jarmolenko, në të njëjtën linjë, ka shkruar: “Kam një pyetje për kolegët futbollistë rusë: pse rrini ulur si idiotë dhe nuk thoni asgjë?”. Përgjigja e Dzubas nuk ka vonuar me një postim në profilin e tij: “Disa kolegëve që rrinë shtrirë në divan në një vilë komode në Angli, dua t’u them: nuk mund të fyemi për këta gjëra, duhen kuptuar të tjerët”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë