Gazeta Si – Nëse do të ishte një film, do të titullohej “Superliga 2, rikthimi”. “Filmi” i parë në fakt nuk pati sukses: në prill të 2021-shit pati shumë kaos dhe disa aktorë jo protagonistë u tërhoqën menjëherë nga skena.
Në pritje të përgjigjes së gjykatësve BE-së në lidhje me dominimin e UEFA-s në organizimin e Ligës së Kampionëve, “regjisorët” nuk janë dorëzuar. Ata prezantojnë sot “serinë” e re, me një skenar të rinovuar.
Gati është një tjetër formulë, sipas së cilës Superliga nuk do të ishte më një turne i mbyllur, me ngjitje dhe rënia nga kategoria. Do të ketë një organizim në dy seri me nga 20 skuadra secila. Ende nuk ka konfirmime zyrtare, por sot Andrea Anjeli, një nga nismëtarët e projektit, bashkë me Florentino Perez të Realit, do të shpjegojë diçka më shumë në kongresin sportivo-ekonomik që organizohet nga “Financial Times” në Londër. Aty merr pjesë edhe “rivali” Aleksandër Ceferin, presidenti i UEFA-s.

Nuk është hera e parë që flitet për një rishikim të Superligës. Të pathyeshmit (Real Madrid, Juventus, Barcelona) u janë drejtuar verën e kaluar agjencive “Flint” dhe “A22” për t’i dhënë një imazh ndryshe turneut. Problemi më i madh edhe nga pikëpamja juridike është ai i formulës së mbyllur të tipit amerikan, e papranueshme në sistemin europian që është i hapur.
Dhe këtu duket se ka një kompromis. Superliga e re mund të hedhë poshtë projektin e parë të Championsit, atë që parashikonte 24 skuadrat më të mira të konfirmuara edhe për sezonin pasardhës, plus 8 të kualifikuarat nga kampionatet. Projekti i ri parashikon organizimin në Seri A dhe Seri B, me rënie dhe ngjitje si në Ligën e Kombeve.
Çfarë do të kishte ndodhur, nëse futbolli europian nuk do ta kundërshtonte projektin e parë? Që atëherë UEFA ka punuar për një formulë më pak “bllokuese”, ndërsa klubet e mëdha kanë punuar në mënyrë sekrete për projektin alternativ.
Ekzekutivi i Lozanës, më 20 prill 2021, aprovoi Championsin me 36 skuadra, me një grup të vetëm me 10 ndeshje, por një ditë më parë u proklamua Superliga nga 12 klube. Nëntë prej tyre (6 anglezët, Milani, Interi dhe Atletiko Madrid) u tërhoqën menjëherë, duke parë kundërshtimin kolektiv.
PSG, Bajerni, Borusia dhe Porto kanë thënë “Jo”. Anjeli, Perez dhe Laporta nuk e kanë braktisur kurrë projektin i janë drejtuar Trupës së Drejtësisë së Bashkimit Europian. Në pritje të përgjigjes, Superliga pritet të japë sot detaje të reja.
Lajmi për tentativën e re të krijimit të Superligës ka shkuar edhe në veshët e Ceferinit, presidentit të UEFA-s, i cili u shpreh: “Klubet janë të lirë të krijojnë një turne, por ta harrojnë se mund të marrin pjesë në kompeticionet e UEFA-s. Shfrytëzuan pandeminë në fillim, tani po shfrytëzojnë luftën”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




