Pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave është ngritur regjistri elektronik, si pjesë e një projekti të financuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për forcimin e transparencës për të zgjedhurit dhe të emëruarit në institucionet shtetërore.
Subjektet e detyruara nga ligji për të plotësuar këtë formular elektronikisht janë edhe punonjësit e sistemit të drejtësisë. Për këtë arsye, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka ndërhyrë te rregullorja e miratuar në 2019-n për procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese për të reflektuar në të detyrimin e plotësimit të të dhënave në regjistrin elektronik.
Rregullorja e re do të aplikohet edhe për dy vakancat e hapura së fundmi nga Kuvendi dhe Presidenti për anëtarë të Kushtetueses, sipas një dispozite kalimtare të vendosur në këtë vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Sistemi elektronik i deklarimit të pasurive dhe konfliktit të interesave (EACIDS) është një sistem informacioni i zhvilluar për menaxhimin e procesit të deklarimit të pasurive dhe konfliktit të interesit nga ana e zyrtarëve shqiptarë, të cilët kanë detyrim ligjor të deklarojnë.
Ky sistem do të menaxhojë regjistrin e subjekteve deklaruese dhe personave të lidhur si dhe proceset e brendshme të punës në ILDKPKI, në lidhje me administrimin e deklaratave të dorëzuara, verifikimin dhe kontrollin e saktësisë së të dhënave të deklaruara.
Objektivi kryesor i sistemit është të ndihmojë ILDKPKI-në për të kryer funksionet e tij dhe njëkohësisht të jetë transparent dhe i hapur për publikun.
Në këtë sistem, të gjithë zyrtarët që përcaktohen nga ligji për të deklaruar pasuritë e tyre, do të duhet që të hapin nga një llogari personale dhe për çdo ndryshim që ndodh në pasurinë ta reflektojnë atë në regjistër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




