Këshilli i Lartë i Prokurorisë u mblodh këtë të mërkurë në një takim jashtë kalendarit, ku u votua zëvendësimi i Gent Ibrahimit me Mirela Bogdanin, e zgjedhur në seancën e fundit të Kuvendit nga radhët e trupës së pedagogëve.
Bogdani zëvendëson Ibrahimin me mandat të përfunduar si anëtare e KLP-së, ndërsa për drejtuesin e ri të këtij institucioni do të mbahen zgjedhje të brendshme.
Pedagogia e Fakultetit të Drejtësisë, Mirela Bogdani u zgjodh pak ditë më parë nga Parlamenti, vetëm me votat e mazhorancës socialiste, pas dy tentativave të dështuara për të emëruar anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) me konsensus politik të të gjithë palëve.
E gjithë procedura e ndjekur në nënkomisionin për emërimet në organet e reja të drejtësisë pati vetëm 4 kandidatura, po për katër vakanca. Në total, nga bota akademike shfaqën interes dhe paraqitën kandidatura 9 emra. Por, me anë të një raporti të gjatë, Sekretari i Kuvendit, Genci Gjonçaj skualifikoi pesë emra nga gara dhe la vetëm katër po për katër vende.
Praktikisht, sipas Partisë Demokratike, këtu nuk bëhej më fjalë për garë, por për emërim. PD kërkoi që të rishqyrtohej lista dhe të rifuteshin në garë emrat e skualifikuar nga Sekretari i Kuvendit. PS e refuzoi kërkesën dhe vijoi përpara me procesin.
Në mbledhjen e fundit të nënkomisionit të drejtuar nga socialistja Klotilda Bushka, PD paralajmëroi se do të ankimojë në Gjykatën Kushtetuese këto emërime, me pretendimin se në të vërtetë nuk kishte garë, sepse në rastin e Mirela Bogdanit, gjatë hedhjes së shortit ajo ishte i vetmi emër për dy vende vakante.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




