Gazeta Si – Më 2 mars është planifikuar të zhvillohet Asambleja Zgjedhore për presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Komitetin Ekzekutiv të saj. Por dy ditë para kësaj Asambleje ka një tymnajë rreth kësaj çështjeje dhe nuk dihet se çfarë do të ndodhë konkretisht të mërkurën.
Ka një vendim nga Gjykata e Tiranës, që e ka pezulluar Asamblenë Zgjedhore të FSHF-së, për shkak të ankesave nga disa Shoqata Rajonale Futbolli për manipulim në zgjedhjet e tyre, më saktë në përcaktimin e delegatëve me të drejtë vote në Asamble. Dhe sipas këtij vendimi, zhvillimi i Asamblesë më 2 mars do të përbënte shkelje ligji.

Në anën tjetër, FSHF-ja duket se ka injoruar totalisht atë çfarë ka vendosur Gjykata e Tiranës dhe ka vazhduar punën për Asamblenë e 2 marsit, duke qenë e vendosur se gjithçka do të bëhet sipas programit. Se çfarë do të ndodhë konkretisht, do të zbulohet më 2 mars, për momentin duket si një ‘luftë e ftohtë’ me palëve.
Për kreun e FSHF-së kandidojnë presidenti aktual Armand Duka, Sulejman Starova dhe Dritan Shkohoxha. Ky i fundit ka bërë edhe një kallëzim penal së fundi për drejtorin e zyrës juridike të FSHF-së, Aldi Topçiu, si dhe për sekretarin e përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku. Sipas Shakohoxhës, FSHF po organizon në mënyrë të fshehtë zgjedhjet, duke shkelur ligjin.
Pak ditë më parë në Tiranë kanë qenë edhe disa ekspertë të UEFA-s, të cilët, përveç interesimit dhe merakut për garancinë e organizimit të finales së Ligës së Konferencës, kanë bërë takime edhe për çështjen e zgjedhjeve. Së pari ata kanë takuar presidentin Duka në FSHF dhe janë shprehur se politika duhet të qëndrojë larg futbollit.

Kanë takuar më pas edhe përfaqësues të Shoqatave Rajonale, që u kanë bërë me dije parregullsitë në zgjedhjet e këtyre shoqatave, por pas këtij takimi nuk kanë dhënë asnjë opinion. Flitet edhe për një raport të këtyre ekspertëve, që nëse është bërë vërtet, ende nuk është publikuar.
Duket si një mundje dore mes FSHF-së, – që ka në anën e saj edhe organizmat ndërkombëtarë të futbollit, – dhe Gjykatës së Tiranës dhe disa Shoqatave Rajonale.
Duhet theksuar se edhe politika ka qenë aktive në këtë çështje. Është fakt që kryebashkiaku Erjon Veliaj, si aksioner i klubit të Tiranës, ka dalë hapur kundër Armand Dukës, që kërkon me ngulm mandatin e 6-të. Në këtë situatë, logjikisht mund të mendohet për një shtyrje të zgjedhjeve, por e mërkura e 2 marsit do të na tregojë diçka më shumë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




