Pas akuzave të politikës dhe shtypit për lidhjet e ngushta me Putinin, pronari i Çelsit ka bërë një hap prapa, duke thënë se gjithmonë ka marrë vendime me zemër, në të mirë të klubit.
Roman Abramoviç ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i klubit anglez. Ai ia ka besuar administrimin e Çelsit Fondacionit bamirës të klubit, pas ngjarjeve të fundit në Ukrainë. Njoftimin e ka bërë vetë numri 1 i Çelsit me një komunikatë të faqen zyrtare të Çelsit.

“Gjatë gati 20 vjetësh si pronar i Çelsit, e kam konsideruar gjithmonë rolin tim si kujdestar, me detyrën për të garantuar suksesin maksimal, përveç ndërtimit të së ardhmes, – shkruhet në komunikatë. – Kam vendosur gjithmonë, duke parë interesin e klubit. Tani po ia besoj drejtimin e klubit Fondacionit bamirës të Çelsit. Besoj se janë në pozicion komod për t’u kujdesur për interesat e klubit, lojtarëve, stafit dhe tifozëve”.
Fondacioni bamirës drejtohet nga Brus Bak, president i klubit, ndërsa administratorët e tjerë janë Ema Hajes, Piara Pouar, Pol Ramos, Xhon Devajn dhe Hjuxh Robertson. Vendimet futbollistike, ku përfshihen transferimet, kontratat dhe e ardhmja e trajnerit Tomas Tuhel, janë kompetencë e drejtoreshës Marina Granovskaia dhe drejtorit teknik Petr Çeh, që kanë një rol të rëndësishëm në drejtimin e klubit, kështu që pak gjëra ndryshojnë.
Pas invazionit rus në Ukrainë, në Angli ka pasur kërkesa nga disa parlamentarë dhe nga shtypi që Abramoviç, i lindur në Rusi dhe i konsideruar një njeri afër Putinit, të largohej nga Çelsi. Veçanërisht deputeti laburist Kris Brajant, kishte kërkuar nga qeveria sekuestrimin e pronave të Abramoviçit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




