Në janar të vitit 2022 hynë gjithsej 194 mijë shtetas të huaj në vend.
Pavarësisht se në raport me një vit më parë hyrjet e shtetasve u rritën me 4.8%, sërish lëvizjet e turistëve mbeten poshtë niveleve të parakrizës, sipas shifrave të publikuara së fundmi nga INSTAT.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, hyrjet e shtetasve janë 22% më të ulëta.
Ndikimin kryesor në këtë ecuri të dobët e kanë dhënë shtetasit nga Kosova, hyrjet e të cilëve ranë me 28% në krahasim me janarin 2021 dhe 18% me janarin 2020.

Vendimi i qeverisë së Kosovës për të pasur tre doza vaksine dhe tamponin PCR për të hyrë në Kosovë, ndaloi shumë shtetas që vinin në Shqipëri për të kaluar fundjavën.
Shtetasit e Kosovës mbajtën peshën kryesore në turizmin shqiptar gjatë pandemisë. Pesha e tyre në periudhën 2020-2021 arriti në rreth 50% të totalit të hyrjeve, nga rreth 34-35% që ishte para pandemisë. Por, në janar 2022, kjo peshë u reduktua sërish në 33%.
Rënia e shtetasve nga Kosova u kompensua nga hyrjet më të lartë të shtetasve nga Italia dhe Greqia që përkatësisht u dyfishuan dhe trefishuan, por sërish mbeten më poshtë niveleve të parapandemisë.
Në rritje të ndjeshme ishin dhe hyrjet e shtetasve nga Gjermania, Anglia, Polonia, SHBA në raport me janarin 2021, por që gjithsesi mbeten shumë të ulët në numër.

Sipas INSTAT, në Janar 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 4.8 herë dhe Greqia me 3.8 herë, ndërsa Zvicra ka pasur rënien më të ndjeshme me 33.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Daljet e shtetasve shqiptarë u rritën
INSTAT raportoi se daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Janar 2022, janë 607.351, duke shënuar një rritje me 34.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Janar 2022, janë 371.920. Krahasuar me Janar 2021, ky numër është rritur me 36.9%. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Janar 2022, janë 235.431. Krahasuar me Janar 2021, ky numër është rritur me 31.6%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



