Ilir Rusi dhe Yllka Rupa janë dy anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor, ndërsa Mirela Bogdani u zgjodh anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë në një procedurë ku nuk pati garë, ashtu siç përcaktohet në ligjin për organet e reja të sistemit të drejtësisë.
Tre emrat nuk morën as këtë herë dy të tretat e votave në Kuvend, por sipas parashikimeve ligjore emërohen automatikisht nëse në procedurën e tretë nuk marrin miratimin e Kuvendit me dy të tretat e votave.
Rusi dhe Rupa zëvendësojnë në KLGj mandatet e përfunduara të Maksim Çokut dhe Erjon Muharremajt, ndërsa Mirela Bogdani do të zëvendësojë në KLP mandatin e Gent Ibrahimit, njëkohësisht kryetar i këtij institucioni.
E gjithë procedura e ndjekur në nënkomisionin për emërimet në organet e reja të drejtësisë pati vetëm 4 kandidatura, po për katër vakanca. Në total, nga bota akademike shfaqën interes dhe paraqitën kandidatura 9 emra. Por, me anë të një raporti të gjatë, Sekretari i Kuvendit, Genci Gjonçaj skualifikoi pesë emra nga gara dhe la vetëm katër po për katër vende.
Praktikisht, sipas Partisë Demokratike, këtu nuk bëhej më fjalë për garë, por për emërim. PD kërkoi që të rishqyrtohej lista dhe të rifuteshin në garë emrat e skualifikuar nga Sekretari i Kuvendit. PS e refuzoi kërkesën dhe vijoi përpara me procesin.
Në mbledhjen e fundit të nënkomisionit të drejtuar nga socialistja Klotilda Bushka, PD paralajmëroi se do të ankimojë në Gjykatën Kushtetuese këto emërime, me pretendimin se në të vërtetë nuk kishte garë, sepse në rastin e Mirela Bogdanit, gjatë hedhjes së shortit ajo ishte i vetmi emër për dy vende vakante.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




