Deputeti i PD-së, Tritan Shehu, ka kërkuar në nisje të seancës parlamentare që Kuvendi të hartojnë një rezolutë, pasi Shqipëria është vend i NATO-s dhe se rajoni është gjithashtu i kërcënuar nga agresioni rus.
“Të ndryshojë rendi i ditës. Sot jemi përpara një agresioni të madh të demokracisë dhe vlerave në Evropë. Rrezikon padyshim edhe rajoni tonë. Ky Kuvend, duhet të dalë sot me një rezolutë të qartë dhe të fortë, si parlament i një vendi të NATO-s dhe rajonit tonë që është i kërcënuar. Duhet të analizojë mirë marrëdhëniet midis vendeve dhe largimin nga influenca ruse. Ne duhet të diskutojmë së bashku për këtë situatë kaq të rëndë. Po të shikosh të gjitha parlamentet e vendeve evropiane po diskutojnë këtë çështje. Nuk duhet të rrimë pasiv në një agresion të tillë sepse jemi vend i NATO”, tha Shehu.
Deputetja socialiste Mimi Kodheli tha se shteti shqiptar ka mekanizma të tjerë për të hartuar rezoluta dhe kërkoi që seanca të vazhdojë normalisht.
“Unë kam ardhur mbrëmë nga mbledhja e Asamblesë së NATO, ku sigurisht është diskutuar për Ukrainën. Shteti shqiptar ka shumë mekanizma duke filluar nga presidenti që mund të thërrasë këshillin e sigurisë. Sigurisht që ka edhe të drejtën të bëjë rezoluta, por vlerësoj që seanca duhet të vazhdojë normalisht. Shqipëria është vend i NATO merren vendime tjetërkund për këtë gjë”, tha Kodheli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



