Ngjarje

Liderë të Ballkanit dënojnë sulmin e Rusisë, por Vuçiç është i vetmi ende pa qëndrim. Në Beograd pritet vizita e Shefit të Sigurisë ruse   

Liderë të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës, kanë dënuar operacionin ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës në orët e hershme të së enjtes.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç është i vetmi lider nga rajoni i Ballkanit Perëndimor që nuk e ka dënuar sulmin rus ndaj Ukrainës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se populli i shtetit të saj mbështet popullin ukrainas, teksa përballet me “pasojat e një lufte të paprovokuar, si rezultat i agresionit rus”.

“Ne do të bashkëpunojmë me aleatët tanë për të ndalur çfarëdo destabilizimi të rajonit tonë. Hegjemonia ruse nuk do të triumfojë. Liria dhe demokracia do të fitojnë”, ka thënë ajo përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se u bashkohet aleatëve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian për të dënuar ashpër agresionin rus.

“Jemi me popullin ukrainas”.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, e ka dënuar po ashtu sulmin rus, duke e cilësuar si shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës si dhe kërcënim për stabilitetin e Evropës.

“E dënoj fuqishëm veprimin ushtarak që ka ndërmarrë Rusia kundër Ukrainës, i cili do të çojë në mënyrë të pashmangshme në humbje të pariparueshme të jetës së njerëzve dhe dëmeve materiale. Pushtimi i Rusisë në Ukrainë është një sulm ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës, një shkelje serioze e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare, një goditje për rendin demokratik dhe një kërcënim për stabilitetin e Evropës”, thuhet në reagimin e Presidencës maqedonase.

“Si anëtarë të NATO-s, ne u bashkohemi thirrjeve të Aleancës drejtuar Rusisë për të ndërprerë armiqësitë në territorin ukrainas. Në emër të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, shpreh solidaritetin tim me popullin ukrainas në këto kohë të vështira”, thuhet në reagimin e Pendarovskit.

Lidhur me zhvillimet në Ukrainë, presidenti Pendarovski ka ftuar të enjten mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka thënë po ashtu në Twitter se u bashkohet thirrjeve të BE-së që Rusia t’iu japë fund armiqësive dhe të tërheqë forcat nga Ukraina.

Kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, është shprehur se ky “sulm i paprovokuar përbën shkelje të madhe të sovranitetit të Ukrainës dhe ligjit ndërkombëtar”.

“Kjo është përgjegjësi ekskluzive e Rusisë, të cilës i kërkojmë të ndalë menjëherë këtë sulm ushtarak”.

Kryesuesi i presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Zhelko Komshiç, është shprehur se do të ofrojë mbështetje për Ukrainën, brenda mundësive.

“Sot në orën 06:00 kam biseduar me të ngarkuarin me punë të Ukrainës, i cili më ka informuar zyrtarisht se sulmi ndaj Ukrainës ka nisur dhe se Ukraina kërkon mbështetjen tonë në të ardhmen”.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka thënë të enjten se Rusia ka nisur pushtimin e vendit të tij.

Në një postim në Twitter, Kuleba ka shkruar se presidenti rus, Vladimir Putin, ka nisur “pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë”.

"Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulm. Kjo është një luftë agresioni", është shprehur Kuleba.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, tha se Rusia ka kryer sulme me raketa në infrastrukturën e Ukrainës dhe mbi rojet kufitare.

Përmes një postimi në Twitter, ai ka thënë se ka biseduar me aleatët perëndimorë dhe se u ka bërë thirrje atyre që ta ndihmojnë Ukrainën me mbrojtje dhe financa.

Presidenti rus ka konfirmuar se ka nisur, siç ka thënë, një operacion "special" për "çmilitarizimin" e Ukrainës.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e ka dënuar operacionin, duke e cilësuar atë si një sulm "të paprovokuar dhe të pajustifikuar" ndaj Ukrainës dhe ka shtuar se bota "do ta mbajë Rusinë përgjegjëse".

Para sulmit në Ukrainë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë këtë javë se njeh pavarësinë e dy rajoneve separatiste në Ukrainë si shtete të pavarura.

Ky vendim është dënuar nga Perëndimi.

Vetëm pak ditë më parë, Radio Evropa e Lire raportoi se  Shefi i Shërbimeve të sigurisë së Rusisë, Nikolai Patrushev, njëri ndër njerëzit më të afërt të presidentit rus Vladimir Putin pritet që në fund të muajit shkurt të shkonte për vizitë në Beograd, një vizitë kjo që solli edhe reagimin e Presidencës kosovare

Mediat pro-qeveritare në Serbi kanë raportuar se oficeri i parë i inteligjencës së Kremlinit, Nikolai Patrushev, i cili është bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, do të vizitojë Beogradin më 28 shkurt.

REL njoftonte se sipas raportimeve, që kanë arritur edhe në mediat ndërkombëtare, Patrushev do të bisedojë me zyrtarët serbë për pretendimet se “mercenarët” nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina “do të luftojnë në Ukrainë kundër palës ruse”.

Ky informacion u prezantua së fundmi nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Konfirmim zyrtar për këtë vizitë nuk ka ende, pasi Presidenca e Serbisë nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për çështjen në fjalë.

Paralajmërimi i kësaj vizite nga zyrtarët rusë është bërë në ditët kur konflikti midis Ukrainës dhe Rusisë po përshkallëzohej.

Tre ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç mblodhi  Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar gjendjen midis Rusisë dhe Ukrainës si edhe situatën në Ballkanin Perëndimor. Më herët. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është shprehur se do ta dënonte njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste në lindje të Ukrainës nga Rusia, kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy të “dënojë bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë