Kosova

Kurti: Sulmi rus, agresioni i dytë më i madh prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten(24 shkurt) se sulmi rus në Ukrainë, përbën agresionin e dytë më të madh ushtarak prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

“Sot është një mëngjes i trishtë në Europë, për shkak se në këto çaste që ne ndodhemi këtu në konferencë në Prishtinë, në Ukrainë po ndodh invazioni rus, i cili është agresioni më i madh ushtarak – jo vetëm në Eropë – që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë Kurti në një konferencë të mbajtur lidhur me reformën e administratës publike në Kosovë.

“Në këto çaste të trishta për Europën, dhe jo vetëm, ne solidarizohemi me popullin e Ukrainës dhe jemi të orientuar bashkë me Bashkimin Europian, NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar për sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, pavarësinë e vendit dhe të drejtën e vetëvendosjes për popullin e Ukrainës”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Edhe Presidenca e Kosovës ka reaguar pas sulmit që Rusia ia bëri Ukrainës.

Në një postim në Twitter, nga Presidenca kanë thënë se “Kosova qëndron me Ukrainën dhe popullin e saj, ndërsa ata po përballen me pasojat e luftës së paprovokuar si rezultat i akteve të agresionit të Rusisë”.

“Ne do të bashkëpunojmë me aleatët tanë për të ndaluar çdo destabilizim në rajonin tonë. Hegjemonia e Rusisë nuk do të ketë sukses. Liria dhe demokracia do të mbizotërojnë”, thuhet në reagim.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka thënë të enjten se Rusia ka nisur pushtimin e vendit të tij.

Në një postim në Twitter, Kuleba ka shkruar se presidenti rus, Vladimir Putin, ka nisur “pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë”.

“Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulm. Kjo është një luftë agresioni”, ka thënë Kuleba.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, ka thënë se Rusia ka kryer sulme me raketa në infrastrukturën e Ukrainës dhe mbi rojet kufitare.

Përmes një postimi në Twitter, ai ka thënë se ka biseduar me aleatët perëndimorë dhe se u ka bërë thirrje atyre që ta ndihmojnë Ukrainën me mbrojtje dhe financa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë