Futboll

Champions/ Ronaldo në hije, një 19-vjeçar shpëton Mançesterin në Madrid (Video)

Me shumë fat dhe me golin e 19-vjeçarit Elanga, Mançester Junajtid arriti të dalë pa humbje nga “Wanda Metropolitano”, ku barazoi 1-1 me Atletikon e Madridit dhe kualifikimi për në turin tjetër është lënë i hapur për në Angli. Spanjollët u ndalën dy herë nga traversa në këtë ndeshje.

Atletiko Madrid kaloi në avantazh me portugezin Zhoao Feliks, nga më të mirët e ndeshjes. Me Grizman dhe Suarez në stol, ai udhëhoqi ekipin dhe shënoi me një zhytje të bukur me kokë. Atletiko iu afrua disa herë golit të dytë dhe në pjesën e dytë, në të parin rast që i la hapësirë Mançesterit, u ndëshkua me golin e barazimit nga Elanga, 10 minuta para fundit. Pa fat Lorente dhe Griezman, që u ndalën nga shtylla.

Për spanjollët, përveç Feliks, ishte Kondogbia që bëri një ndeshje të jashtëzakonshme, duke nxjerrë nga loja Pol Pogbanë. Ndër më të dobtit në fushë ishte Kristiano Ronaldo. Një mbrëmje e shëmtuar për portugezin, me një nivel nën mesatar. Në asnjë moment portugezi nuk doli në skenë. Elanga shënoi me topin e parë që preku pasi u fut në fushë, duke i dhënë barazimin Mançesterit.

Benfika dhe Ajaksi barazuan 2-2 në ndeshjen tjetër të mbrëmjes. Holandezët kaluan dy herë në avantazh, me Tadiç dhe Haler, por në të dy rastet u barazuan. Haler shkaktoi një autogol tri minuta para se të shënonte golin e dytë të Ajaksit, ndërsa për Benfikën barazoi ukrainasi Jaremçuk.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë