Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë, Guvernatori në detyrë, Gent Sejko, u ndal tek sektori i institucioneve financiare jo banka edhe në përgjigje të pyetjeve nga deputetët anëtarë.
Deputeti i Partisë Demokratike, Arbi Agalliu, ngriti shqetësimin mbi “abuzimin” e këtyre subjekteve me normat e interesit të kredive dhe nevojën për monitorim.
Në përgjigjen e tij, Sejko tha se Banka është në dijeni të këtyre abuzimeve, por disa shërbejnë për transferta dhe disa për mikrokredi. “Mikrokreditë janë kredi pa kolateral dhe nëpër banka kanë po ashtu interes të lartë, por norma në këto subjekte është shumë herë më e lartë. Në fillim të këtij viti u miratuan tavanet e interesit dhe penaliteteve për këto subjekte. Problem i madh kanë qenë dhe kreditë e këqija”, tha Sejko.
Pranvera Resulaj, nga Partia Socialiste, referuar komenteve të mëhershme të BSH-së për një inflacion kalimtar, tha se ka gjasa të mos ndodhë kështu dhe drejtoi pyetjen se çfarë shenjash pret më shumë Banka, për të ndryshuar masat.
“Analiza e BSH-së tregon se goditja do të jetë kalimtare sepse kemi ardhur nga një ekonomi gati deflacioniste, siç mund të quhet ekonomi anemike. Kemi pasur norma interesi shumë të ulëta. Kemi inflacion të importuar, sepse jemi ekonomi tregu dhe e hapur. Jemi akoma nën nivelin e vendeve të tjera, do të vazhdojmë me këtë politikë sepse ekonomia ka ende nevojë për konsolidim. Duhet ulur borxhi publik dhe taksat. Në varësi të inflacionit do të shohim rritje të normës. E sigurt që do të nisë ndryshimi i kahut, jo shtrënguese por normalizuese”, shtoi Sejko.
Më tej Sejko shtoi se digjitalizimi i sistemit financiar është i vështirë dhe ka ende për t’u bërë në këtë drejtim ndonëse progresi është i dukshëm.
Duke thënë se ekonomia shqiptare i ka kaluar tashmë efektet e pandemisë dhe tërmetit, Sejko tha se Banka po i kushton rëndësi të veçantë projekteve të Fintech ku ka shumë interes dhe kërkesë e mbi të gjitha me qëllim formalizimin dhe digjitalizimin e pagesave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




