Kriza e thellë mes Rusisë dhe Ukrainës mund ta detyrojë UEFA-n të ndryshojë stadiumin e finales së Ligës së Kampionëve, e programuar për më 28 maj në Shën Pjetërburg. Organi më i lartë i futbollit europian po e monitoron me kujdes situatën me konfliktin, por për momentin nuk ka ndonjë vendim tjetër.
“UEFA po ndjek në mënyrë konstante dhe nga afër situatën. Për momentin nuk ka plane për ta ndryshuar stadiumin e finales”, – shkruhet në një komunikatë të fundit.

Aneksimi i Donbasit nga ana e Rusisë po shqetëson gjithë botën dhe mund të ketë pasoja edhe në lëvizjen e futbollit. UEFA ka përgënjeshtruar zërat që vijnë nga Britania e Madhe se akti i fundit i Championsit mund të spostohet në “Wembley” të Londrës. Nëse ndodh kështu, do të ishte hera e tretë radhazi që do të ndryshonte vendi i finales.
Në 2020-ën, emergjenca e koronavirusit e detyroi UEFA-n të organizonte një ‘Final Eight” në Lisbonë, duke i hequr mundësinë Stambollit. Një vit më pas finalja Çelsi-Mançester Siti u spostua po në Portogali, por në Porto, sepse kishte vështirësi për lëvizjen e tifozëve drejt Turqisë, që bënte pjesë në listën e kuqe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




