Gazeta Si – Antonio Konte ka zgjedhur rrjetet sociale, me një postim ironik të publikuar në profilin e tij në Instagram, për t’iu përgjigjur Pep Guardiolës, i cili pas humbjes së Mançester Sitit kundër Totenhemit, i quajti londinezët një skuadër ‘kundërsulmi’.
Një përkufizim që nuk i ka pëlqyer aspak trajnerit italian të Totenhemit. Ai ka postuar edhe videon e tre golave që skuadra e tij shënoi ndaj Sitit, të shoqëruar me figurat e fytyrës që qesh dhe me diçiturën: “Kundërsulm? Ndoshta jo…”.

Në fakt, të tre golat e Spurs-ave ndaj mançester Sitit, si ai i Dejan Kulusevskit, si ata të Herri Kejn, erdhën nga aksione të rrjedhshme loje. Por komenti i Guardiolës realisht i referohej vendosjes taktike të Totenhemit gjatë 90 minutave dhe jo vetëm aksioneve të veçuara, duke përfshirë edhe ato të golave.
“Pas avantazhit, Totenhemi u mbrojt me shumë forca dhe në mnyrë shumë kompakte, – deklaroi trajneri spanjoll. – Me Kejn nuk e humb kurrë topin dhe mund të shfrytëzosh shpejtësinë e Son dhe Kulusevskit. Luajtën ashtu siç e prisja, u treguan të zotët për të krijuar hapësira për kundërsulmin”.
Pas ndeshjes, Konte kishte preferuar të mos i komentonte fjalët e Guardiolës, por pak ditë më pas ka bërë reagimin e tij, duke nxjerrë sërish në pah rivalitetin sportiv mes dy trajnerëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




