Ka ndodhur

Përplasja me banorët te ‘5 Maji’, 8 punonjës policie të lënduar

Pesë punonjës të Policisë së Shtetit dhe 3 të Policisë Bashkiake kanë mbetur të lënduar nga konfrontimi me banorët e “5 Majit” që kundërshtuan edhe këtë të martë shembjen e banesave të tyre.

Gjatë rezistencës së banorëve, punonjësit e policisë kanë marrë dëmtime nga sende të forta dhe lëndë djegëse dhe ndodhen në Spitalin e Traumës, duke marrë ndihmën mjekësore.

Në mbështetje të strukturave të IMT-së dhe Policisë Bashkiake, janë mbështetur më pas nga FNSH që kanë normalizuar situatën dhe kanë krijuar mundësinë për vijimin e shembjeve.

Policia e Tiranës ka shoqëruar disa persona në Komisariat dhe thotë se kushdo që ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të Policisë, do përballet me ligjin.

Protesta e banorëve të ‘5 Majit’ është shoqëruar me tensione të forta me policinë, duke bërë rezistencë për mbrojtjen e shtëpive, të cilat preken nga projekti për rindërtimin dhe rikualifikimit urban.

Të bashkuar, banorët e njësive 4 dhe 8, tentuan që të pengojnë efektivët e policisë dhe Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit (IMT) të mos ndërhyjnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë